
Gjykata Kushtetuese ka pranuar shfuqizimin e nenit që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit.
Kushtetuesja ka vendosur hapjen e listave 100% për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe shfuqizoi si antikushtetues pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që flet për herësin.
Në studion e lajmeve të MCN TV, konstitucionalisti Kristaq Kume tha se me këtë vendim është korrigjuar diçka që është bërë keq.
Megjithatë, sipas tij, vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se zbatimit të tij i shpëtojnë rezultatet e dala nga zgjedhjet e 25 prillit.
E përshëndes këtë vendim që vë në vend një parregullsi, por që për mendimin tim është një veprim që iu kundërvu sjelljes së klasës politike ndaj procesit të hapjes së listës. Lista kështu siç është e parashikuar në Kodin Zgjedhor është e hapur 100%, por përdorimi i votës parapëlqyese është bërë jo mbi bazën e këtij parimi. Është rregulluar diçka që ishte bërë keq. Unë jam i prirur të mendoj që mundësitë që të ketë fuqi prapavepruese janë shumë të vogla. Të mos harrojmë që kandidatët në garë u futën sipas disa rreegullave të parashikuara. Do presim si do të rregullohet në Kodin Zgjedhor.



