Ato janë dy artiste të reja, Donika, një këngëtare, e cila mishëron sopranon Tefta Tashko Koço të sapokthyer nga Parisi në vitet ’30 dhe Eleni, një pianiste. Të dyja nisen drejt Lushnjës për të dhënë një koncert mes baltërave të Myzeqesë në kohën e monarkisë shqiptare, ide që pritet ftohtë nga drejtuesit lokalë me mendësi feudale.
Kjo është historia mbi të cilën ndërtohet filmi “Koncert në vitin 1936” me regjisor Saimir Kumbaron dhe që tashmë numëron mbi 40 vjet nga koha e realizimit të tij.
Një nga filmat më të njohur për publikun shqiptar, edhe sot, ky film ka çfarë rrëfen edhe në rrafshin historik. Përtej ideologjisë së periudhës së regjimit komunist, ky film, si dhe të tjerë të atyre viteve, dëshmon në fakt, më tepër se sa për kohën ku i zhvendos ngjarjet, për periudhën kur u xhirua.
Pika e më e vështirë për Kumbaron ka qenë përzgjedhja e aktorëve që dëshironte.
Për Manushaqe Qenanin, në profesion këngëtare opere, ishte e lehtë të superpozonte, ndërsa interpretonte Tefta Tashkon, edhe pse nuk ishte kaq e thjeshtë puna me aktrimin përballë aktorëve profesionistë.
Ndërtimi i atmosferës së kohës përmes skenografisë dhe kostumografisë së duhur janë ndër elementët e veçantë të filmit dhe për të cilët regjisori Kumbaro u angazhua në mënyrë të posaçme. Ai hulumtoi për 5 muaj në bibliotekë, duke shfletuar materiale të kohës, në mënyrë që të gjithë elementet t’i vinte në shërbim të epokës në të cilën zhvillohej ngjarja, sigurisht, duke pasur parasysh edhe disa “autorizime” të dhëna nga lart.
Edhe pse ngjarjet në film zhvillohen në Lushnjë, xhirimet e filmit bëhen në Libohovë dhe Divjakë, vende prej ku gjithë ekipi ruan kujtime të veçanta.
Regjisori Kumbaro mori përsipër edhe kostumografinë e filmit, ndërsa bashkëpunoi me rrobaqepësin Faik Këllezi.
Krijimi i skenave masive, ku angazhohen me dhjetëra banorë të zonës, si dhe dirigjimi i këtyre skenave në një terren të vëshirë janë disa nga momentet më të vështira, por edhe më të bukura në film.
Por pavarësisht gjetjes së aktorëve të duhur dhe krijimit shumë mirë të atmosferës së kohës kur zhvilloheshin ngjarjet, jo gjithçka do të ecte lehtësisht gjatë xhirimit të filmit, për shkak të shtatzënisë së papritur të njërës prej aktoreve kryesore. Për më tepër, krerët e partisë dëshironin që ajo ta sakrifikonte foshnjën, duke abortuar për hir të filmit.
Pavarësisht gjithçkaje “Koncert në vitin ‘36” rezultoi të ishte i suksesshëm.
Aktorët kryesorë u vlerësuan nga udhëheqja e asaj kohe, gjë që ndihmoi që censura të mos fuste “duart” në film, diçka tepër e shpeshtë në filmat e atyre viteve. Megjithatë gjëra të vogla në film u hoqën, si përshembull një skenë, ku nënprefekti pyet toger Shazivarin për biografinë e Nesti Bënjës, që luhej nga Roland Trebicka. Në skenën ku nuk mungojnë notat e humorit përmendet fjala komunist dhe për këtë në ato vite u organizua edhe një mbledhje, ku regjisori Kumbaro u akuzua se po tallej me komunistët dhe ky episod u pre nga filmi. Por fakti që Enver Hoxha përmendi në një nga veprat e tij aktorët interpretë në film, duke i vlerësuar ata maksimalisht me shumë gjasë u bë shkak që filmi të mos prekej më vonë.
Filmi u vlerësua në Festivalin e Filmit që u zhvillua atë vit dhe të gjithë elementet e filmit u nderuan me çmime, përveç regjisorit. Por ky film shënoi fillimin e një karriere të mbarë për Kumbaron.
Sot, “Koncert në vitin 1936” është një nga filmat më të dashur për shkak edhe të humorit që përcjell dhe batutave, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë shqiptare.
Përtej diskutimit nëse këta filma duhet të shfaqen ose jo për shkak të shtrembërimit ideologjik që është në një pjesë të tyre, e vërteta është se ky film, por dhe të tjerë prodhime kinematografike, janë pjesë e krijimtarisë sonë artistike dhe vazhdojnë të mirëpriten nga publiku.



