Prej dy ditësh kanë nisur fluturimet në aeroportin Nënë Tereza me vende që Shqipëria ka një marrëveshje udhëtimi, por sot ‘TIA’, (Tirana Internacional Airport), ka njoftuar në lidhje me protokollin e masave që udhëtarët duhet të ndjekin.
Në rast se udhëtarët kanë një prej këtyre simptomave: temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, humbje të shijes dhe nuhatjes, atëherë në asnjë rast nuk duhet të shkohet në aeroport. Gjithashtu përpara se të bëhet ‘check-in’ duhet me patjetër që të plotësohet deklarata e shëndetit.
Për të gjithë udhëtarët është e detyrueshme që të paktën në momentin që paraqiten në aeroport duhet të mbajnë maskat, ndërkohë që vetëm pasagjerët mund të futen në terminal. Sakaq TIA bën thirrje që udhëtarët të llogarisin mirë kohën pasi do të ushtrohen kontrolle shtesë për shkak të kushteve të diktuara nga koronavirusi.
Të hënën, me datë 15 qershor, u kryen fluturimet e para pas rihapjes në aeroportin ‘Nënë Tereza’. Tre udhëtimet ishin me vendet si Serbia, Greqia dhe Austria, ndërsa sot në program ishin katër fluturime, të gjitha me vende të BE-së.



