Sot festohet Dita e Verës, festa që simbolizon ardhjen e pranverës dhe rinovimin e natyrës.
Në ‘kryeqytetin e pranverës’, në Elbasan festimet kanë nisur që herët në mëngjes, bën të ditur korrespondentja Entela Duka.
Për shikuesit e ‘MCN live’, Duka thotë se festimet kanë nisur që herët në mëngjes, të cilës i ka paraprirë mbrëmë Nata e Verës me koncertin madhështor.
Qyteti është zgjuar sot me aktivitet të shumta, që kanë nisur që me koncertin e ballokumes, pastaj me Panairin e Zejeve, ndërkohë që në këto momente ka nisur edhe karnavali i fëmijë të shkollave 9-vjecare dhe te mesme, të cilat po defilojnë me fabulën e tyre, që i kushtohet përcjelljes së mesazheve për grupet shoqërore.
Elbasani është shndërruar në një skenë të madhe festive, ku mijëra qytetarë dhe vizitorë nga gjithë vendi janë mbledhur për të marrë pjesë në atmosferën magjike që e bën Elbasanin zemrën e kësaj feste.
Karnavalet e fëmijëve të shkollave, me kostume të gjalla dhe ngjyra pranverore, i kanë dhënë gjallëri rrugëve të qytetit. Tingujt e muzikës popullore, aromat e ballokumeve dhe panairet me produkte tradicionale kanë krijuar një mozaik emocionesh që përfshin të gjithë, të vegjël e të mëdhenj.
Nga çdo cep i Shqipërisë, vizitorët janë mbledhur për të jetuar atmosferën e veçantë të Ditës së Verës.
Ndërkohë mbrëmë u mblodhën për të festuar Natën e Verës, një nga traditat më të bukura dhe më të vjetra shqiptare.
Sot festimet do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.



