
Ka marrë fund odiseja për të marrë lejen e ndërtimit nga komuna e Prishtinës, për ndërtimin e Xhamisë së Madhe. Pas një ngërçi disa vjeçar, kryetari Përparim Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar nisjen e ndërtimit të kompleksit “Xhamia Qendrore”
Lidhur me këtë në një lidhje skype nga Prishtina z. Ahmet Sadriu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës deklaroi se ndërtimi i saj është një domosdoshmëri për komunitetin mysliman.
Ai tha se ka pasur shumë oferta nga vendi dhe bota për ndërtimin e xhamisë dhe në këtë përfundim është arritur pas shumë procedurash.
Sipas tij ky projekt pritet të kushtojë deri në 30-40 milionë euro, ndërsa ëhstë menduar që të përfundojë brenda 3 viteve.
Intervista e plotë
1. Z. Sadriu, u deshën 10 vite për një leje ndërtimi. Pse ky ngërç?
Është e vërtetë por ne jemi të kënaqur që pas kësaj kohe të gjatë në fund komuna e Prishtinës ka vendosur të japë lejen për xhaminë qendrore në Prishtinë. Me këtë rast dua publikisht të falënderoj institucionet të cilët morën guximin që të na japin lejen për ndërtimin e këtij kompleksi.
2. Çfarë do të thotë ndërtimi i Xhamisë Qendrore për besimtarët e komunitetit mysliman? Si e kanë pritur ata këtë lajm?
Një disponim, gëzim duke pasur parasysh se kjo ka qenë një kërkesë e hershme për besimtarët mysliman duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e tyre që namazet e xhumasë apo festës së bajramit janë falur në hapësira jashtë kulteve fetare, kështu që ata me plotë të drejtë kanë arsye të gëzohen që një problem i tillë ka mundësi të zvogëlohet sepse obligimet e tyre fetare ti kryejnë në mënyrë komode në hapësirat të cilat janë këtu në kryeqytet.
3. Ky projekt është një bashkëpunim i kompania projektuese “Kavısyapı” nga Turqia me konsulent të kompanisë projektuese “InTECH” nga Prishtina. Jeni të kënaqur nga ky projekt?
Ka pasur shumë oferta nga vendi dhe bota dhe kemi ardhur në përfundim të këtij projekti për zgjedhjen e këtij kompleksi. Janë zhvilluar procedura të ndryshme dhe kemi ardhur në përfundim çka do të thotë që janë kaluar shumë procedura deri në përzgjedhjen e saj. Jemi të kënaqur padyshim dhe zhvillimet e mëtejshme do të shkojnë pa ndonjë problem.
4. Në një prononcim për mediat, kryemyftiu Naim Tërnava ka deklaruar se në xhamitë e Turqisë janë mbledhur 40 milionë euro për ndërtimin e kësaj xhamie. Por sa shkon ky projekt në total?
Donatori i këtij projekti është populli të cilët kanë mbledhur këtë donacion, ky projekt do kërkojë 30-40 mln euro deri në finalizimin e tij, i cili pritet të përfundojë pas të paktën 3 viteve.
5. Çfarë roli ka Turqia në ndërtimin e këtyre xhamive, pasi edhe në Tiranë xhamia e Namazgjasë po ndërtohet nga ky shtet? Po në Kosovë a ka mosmarrëveshje sa i takon atyre që quhen gylenistë?
Në Kosovë nuk kemi pasur probleme në raporte të tilla që ju i keni cekur. Shpresoj se nuk do të kemi ndonjë mosmarrëveshje gjatë kësaj periudhe kohore.



