Grupi hetimor i ngritur nga autoritetet italiane për zbardhjen e vrasjes makabre të çiftit nga Vlora, Shpëtim e Teuta Pasho, është rikthyer në banesën ku viktimat kanë jetuar pa ndodhur krimi.
Dyshimet janë që krimi mund të ketë ndodhur në apartamentin që ndodhet në lagjen Fiorentine të Novolit, në via Felice Fontana, ku jetonte Elona Kalesha dhe ish-partneri i saj Taulant Pasho. Elona Kalesha nga Durrësu, tashmë është e arrestuar si e dyshuara kryesore e kësaj vrasje.
Mediat italiane shkruajnë që data 1 nëntor i vitit 2015 është dhe nata e fundit e jetës për çiftin Teuta dhe Shpëtim Pasho, të cilët u masakruan dhe u prenë në copa duke i futur më pas në katër valixhe. Sipas hetuesve, 36-vjeçarja e arrestuar duket se e kishte të planifikuar vrasjen e prindërve të ish-të dashurit të saj për shkak të shumës së parave që ata mbanin me vete.

Hetimet e kryera deri më tani, kanë nxjerrë në pah edhe një konflikt mes palëve, nuse-vjehrrë. E ndjera Teuta Pasho dhe Elona Kalesha thuhet se nuk ishin shumë të mira. Sipas informacioneve, mësohet se Teuta, nëna e Taulantit nuk ishte dakord me këtë marrëdhënie. Pasi djali i saj, Taulanti të dilte nga burgu do t’i kërkonte djalit që të zgjidhte mes tyre,”Ose atë, ose ne”.
Por kjo është një përballje që nuk ka ndodhur kurrë dhe se gjurmët e fundit të çiftit janë një ditë para se djali i tyre i dënuar për drogë të dilte nga burgu. Vrasja dyshohet se ka ndodhur në momentin që çifti ka qenë në gjumë dhe copëtimi i trupave të tyre mund të ketë ndodhur në ditët në vijim.
Dëshmitarët, banorë të pallatit kanë konfirmuar se nga apartamenti vinte një aromë shumë e keqe gjaku dhe e një lloj substance ngjitëse. Ndërkohë, ditën e sotme Elona Kalesha pritet të dalë para autoriteteve gjyqësore ku do të njihet me masën e saj paraprake të sigurisë. Prokuroria sipas mediave italiane, mësohet se ka kërkuat masën “Arrest në burg”.
Dyshimet e para për vrasjen e çiftit nga ish e dashura e djalit kanë qenë nga vajza e familjes Vittoria e cila është shprehur se ajo ka qenë dhe kontakti i fundit me prindërit e saj.



