
Një grup deputetësh të opozitës janë kthyer sot në Parlament, pas bojkotit disamujor.
Një përfaqësi nga Partia Demokratike dhe një tjetër nga LSI-ja u janë bashkuar deputetëve të maxhorancës në seancën e sotme.
Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka dhe Luçiano Boçi nga PD-ja si edhe Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi nga LSI-ja marrin pjesë në seancë.
Një ditë më parë, LSI-ja ka depozituar në Parlament dy amendamente për arsimin e lartë. Pas hedhjes për votim, maxhoranca votoi kundër tyre, çka bëri që opozita të linte sërish Parlamentin.
Ndërkohë, kryeministri Rama përsëriti kërkesën për dialog me studentët. “Qeveria është e gatshme t’i zgjidhë një për një kërkesat e tyre. Janë të ftuar në çdo moment, edhe këtu, në këtë sallë. Refuzoj që këto 8 pika t’i plotësoj sikur janë porosi për një dyqan. Ne duam të diskutojmë me studentët në sy të publikut, që të jemi të qartë, që këtë thamë dhe këtë bëmë. Kam parë dje një video nga diskutimi i Fakultetit Ekonomik, që studentët aty binin dakord për të hapur dialogun dhe atyre iu fliste një fantazmë e Partisë së Punës. Një doktor shkencash që doktoraturën e ka bërë me titullin “Eficienca e kalit në ekonomi”. Aq shumë u habita se dyshova se më bënin sytë. Kjo lojë duhet të marrë fund. Ne jemi gati t’i plotësojmë këto pika një për një. Po kujt t’ia themi? Ylli Kadriut, apo Qimi.net? Na duhet dialog ballë për ballë me studentët. Treçereku i atyre pikave nuk kanë lidhje me qeverinë, por me vetë universitetet. Kjo tregon se shpresa te universitetet ka vdekur", tha ai.
Paralelisht me seancën, jashtë sallës studentët po protestojnë para ndërtesës së Kuvendit.



