Policia e Tiranës prangosi shtetasin Haxhi Giu, 55 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë në rrethin e Krujës.
Prokurori Haxhi Giu është një emër i njohur publikisht, pasi ka qënë dhe prokuror i çështjes “Hajdari”, ku mbeti i vrarë deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ndaj 55 vjeçarit Giu, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Së bashku me prokurorin e Tiranës, në pranga përfundoi edhe 29 vjeçari Aleks Shpori. Ky i fundit kishte vëllain e tij, nën hetim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Gjatë fazës së gjykimit, Aleks Shpori është takuar disa herë me prokurorin e kësaj çështjeje Haxhi Giu, të cilit i ka ofruar shumën 29.000 euro në këmbim të ndryshimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” për vëllain e tij. Nisur nga fakti që nuk është bërë e mundur ndryshimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin Gj. Sh, nga ana e prokurorit të çështjes Haxhi Giu është kthyer mbrapsht shuma prej 29.000 euro tek vëllai i tij Aleks Shpori.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma 29.000 euro, DVD me pamje filmike të marra nga ambientet ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori.



