Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës po i jepet sot lamtumira e fundit Mjeshtrit të Madh të humorit Zef Deda. Miq, të afërm, familjarë e aktorë, po i bëjnë nderimet e fundit të ndjerit në hollin e teatrit.
Mandej kortezhi do të niset për meshën e dritës e më pas përcjellja për në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit. Mes atyre që ishin të pranishëm në homazhe ishte edhe aktori Agron Llakaj, i cili duke folur për mediat tha: “Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës por për këdo që ka ndjekur artin e Zefit është një dhimbje e madhe”.
Ndërsa aktori i humorit Edmond Halili tha: “Është një humbje shumë e madhe. Ka vdekur humori shqiptar. Për mua Zef Deda ka qenë një mrekulli e humorit shqiptar. Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërinë. Si Zef Deda nuk ban nana ma!”
Kryebashkiaku Benet Beci u shpreh: “Është një humbje e madhe. Sot përcjellim me një respekt të jashtëzakonshëm, gjithë qyteti, po besoj gjithë kombi shqiptar, një figurë shumëdimensionale artistike”.
Zef Deda u nda nga jeta dje në moshën 73-vjeçare. Artisti shumëdimensional i cili ka spikatur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi mbylli sytë në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që mësohet se e kishte prekur prej kohësh. Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si “Çarli Çaplini i Shqipërisë”.



