Gjyqtarët në Gjykatën Penale Ndërkombëtare kanë lëshuar urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Analisti i çështjeve ndërkombëtare, Endri Tafani, thotë se zbatimi i urdhrit varet nga vullneti i shteteve që janë palë zbatuese të këtij traktati.

Vendet që janë nënshkruese ekzekutojnë këtë urdhër arresti. Izraeli nuk e njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare, pasi nuk është palë. Izraeli kundërshton faktin që shteti palestinez duhet të jetë shtet ku gjykata ka juridiksion. Në 2021, është pranuar që kjo gjykatë ka juridiksion mbi territorin palestinez. Duke qenë se në këtë shtet kanë ndodhur këto veprime, atëherë gjykata e ka marrë.

Sipas Tafanit, mbështetja ose jo e çështjes palestineze po peshohet nga politika europiane, për shkak të numrit të madh të emigrantëve të besimit mysliman.

Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është një krizë që vijon prej dekadash. Në një pjesë të mirë të vendeve perëndimore ka një emigracion shumë të madh nga vendet e Afrikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme, pra popullsi e religjionit mysliman, që do të thotë se çështja palestineze mbështetet prej tyre. Kjo bën që në vende si Spanja, Franca apo Gjermania të mendohet fillimisht sesi lëviz vota nëse ndryshon qasja në raport me Palestinën.

Tafani shpjegoi se ndryshe nga Europa, në SHBA, qëndrimi në lidhje me këtë çështje lidhet me botëkuptimin ideologjik.

Qeveritë e majta kanë një qëndrim pak më pro Palestinës. Qëndrime të tilla hyjnë edhe në kuadër të botëkuptimit ideologjik. Në SHBA, elementi religjioz ka më pak rëndësi dhe elementi i ekstremit të majtë është i përhapur por kryesisht në kampuset universitare.