
Lumturia është kthyer në obsesionin e kohëve moderne. Kërkimi i saj, mbajtja me forcë kur e gjejmë, dhe ua urojmë të dashurve tanë janë kthyer në forcën motivuese për mënyrën se si ne jetojmë jetën tonë.
Ne e përdorim lumturinë si njësi matëse për vendimet e jetës. Nëse një punë nuk na bën të lumtur, ne e braktisim. Nëse një marrëdhënie nuk na bën më të lumtur, ne e lëmë.
Lumturia është vendosur në qendër të jetës sonë dhe ne bëjmë zgjedhje drastike duke u përpjekur dëshpërimisht ta arrijmë atë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit në të 30-tat dhe 40-tat e tyre, të cilët janë më të rrezikuarit kur është fjala për përdorimin e antidepresantëve dhe zhvillimin e çrregullimeve të humorit sesa çdo grupmoshë tjetër.
Ata janë gjithashtu konsumatorët më të mëdhenj të industrisë së vetë-ndihmës, shpenzojnë para pëer mirëqenie, udhëtime, aktivitete në internet për të rritur lumturinë ose libra psikologjikë. Ironikisht,studimet tregojnë se ndjekja e lumturisë jo vetëm që mund të na bëjë më pak të lumtur, por edhe më të vetmuar, pasi shpesh përfundojmë duke u larguar nga njerëzit që përfaqësojnë jetën që dëshirojmë të lëmë pas.
Pra, nëse ndihemi të pakënaqur sot, a mund të shpresojmë për një të nesërme më të mirë? Për fat të mirë, një studim i fundit sugjeron që ne mundemi, sepse pavarësisht nga dallimet tona individuale, ne kalojmë nëpër disa ndryshime të natyrshme në jetë që ndikojnë në lumturinë tonë. Këto ndryshime na lejojnë të përjetojmë nivele relativisht të larta lumturie në të 20-at, të cilat më pas fillojnë të bien, duke arritur pikën e tyre më të ulët në fund të viteve '30 dhe fillim të viteve '40 - kur ato fillojnë të ngjiten përsëri.
Ekzistojnë pesë arsye për këtë ngritje të natyrshme.
1. Perspektiva e kohës
Në shumicën e shoqërive perëndimore, të 20-at dhe të 30-at kalohen duke krijuar të ardhmen. Nga fundi i të 30-ave dhe fillimi i të 40-ave, kur e kuptojmë se: a) nuk kemi arritur atë që shpresonim të arrinim, dhe b) e ardhmja jonë po shkurtohet me shpejtësi, kemi dy mundësi. Mund të fillojmë të përfshihemi nga paniku, ose mund t'u përshtatemi të gjitha këtyre ndryshimeve duke i ridrejtuar mendimet tona në të kaluarën pozitive. Kjo është ajo që bëjnë shumica prej nesh, gjë që rezulton në të ndierit më të sigurt dhe më të lumtur, ndërsa kalojmë në fazat e mëvonshme të jetës sonë.
2. Jeta emocionale
Kur jemi të rinj, i lëmë emocionet tona të shpërthejnë siç janë. Sa më të lart shkojnë, aq më poshtë bien. Na duhen vite për t'i kontrolluar ato. Ndërsa kalojmë në të 50-at, ato bëhen më të qëndrueshme dhe ne arrijmë më shumë qetësi në jetë. Përveç kësaj, ne jemi më të tërhequr ndaj pozitivitetit dhe jemi në gjendje ta mbajmë atë për më gjatë, kjo është një arsye tjetër pse ndihemi më të lumtur ndërsa plakemi.
3. Rrjeti shoqëror
Në të 20-ata, rrjeti ynë i miqve ka të jetë në kulmin e lulëzimit. Ne kemi njerëz të rinj që vijnë në jetën tonë gjatë gjithë kohës, qoftë kolegë nga një punë e re, apo rrethe shtesë miqsh dhe familjarë të një partneri të ri romantik. Pastaj, ndërsa futemi në të 30-at, gjithçka fillon të ndryshojë. Ne nuk kemi më kohë dhe energji për të ushqyer të gjitha miqësitë tona, dhe njerëzit bien nga jeta jonë si mizat.
Meqenëse kemi nevojë për mbështetje sociale për t'u ndier më të lumtur, ky ndryshim mund të ketë një efekt të dëmshëm në mirëqenien tonë. Sidoqoftë, ndërsa kalojmë të 50-at, më të vjetër dhe më të mençur, ne fillojmë të bëjmë më shumë përpjekje për të mbajtur njerëzit në jetën tonë, duke forcuar miqësitë tona. Kjo mund të jetë një arsye tjetër pse bëhemi më të lumtur më vonë në jetë.
4. Ngjarjet e jetës
Ngjarjet e jetës janë si trafiku. Kur rruga është e zbrazët, është më e lehtë të ngasësh makinën. Sapo rruga mbushet me makina, është më e vështirë të përballosh. Hulumtimet tregojnë se si ngjarjet traumatike ashtu dhe problemet e përditshme janë në nivelin e tyre më të lartë kur arrijmë në moshë të mesme. Pas kësaj, ato fillojnë të ngadalësohen, pasi mësojmë se si t'i përballojmë në mënyrë më efektive. Dhe si rezultat, ne bëhemi më të lumtur.
5. Parashikueshmëria
Ndihesh mirë kur je në gjendje të parashikosh se çfarë do të ndodhë më pas. Kjo na jep një ndjesi mjeshtërie mbi mjedisin tonë dhe na mbush me besimin se ne mund të zgjidhim çdo gjë problem që jeta në hedh përpara. Ndërsa rritemi me kalimin e viteve, ne bëhemi më të mirë në parashikimin e pasojave të sjelljeve tona, dhe të njerëzve të tjerë dhe bëhemi të aftë në planifikimin e veprimit më të mirë për të manovruar përmes sfidave të jetës. Çdo ditë na mëson aftësi të reja të jetës - dhe ato na e bëjnë më të lehtë të ndihemi më të lumtur.
Kështu që duket se jeta jonë bëhet më e lumtur ndërsa plakemi. Ironikisht, pavarësisht nga mosha, kur njerëzit pyeten për kohërat më të lumtura të jetës së tyre, ata zakonisht tregojnë për të 20-tat, duke parashikuar gabimisht se ndjenjat e kënaqësisë do të zvogëlohen me rritjen e moshës.
Në fakt, do të ishte një ide e mirë të relaksohemi dhe të lëmë natyrën të ndjekë rrugën e saj. Për shkak se gjërat në të vërtetë përmirësohen me moshën, e vërteta që të ngre moralin është se të gjithë kemi një shans gjithnjë në rritje për të jetuar lumtur në vitet që vijnë.



