
Analisti Arian Çani komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV 8 emrat e lakuar si propozime për President nga grupimi Alibeaj, duke veçuar si më të përshtatshim Dashamir Shehin. Sidoqoftë, Çani e konsideron procesin e negociatave si farsë, duke i quajtur naiv ata që besojnë te një President konsensual.
Nëse do ishin këta, do vendosja Dash Shehun. Më duket një profil fair, i ndershëm, i përgatitur, i urtë. Kjo ishte për ta marrë seriozisht. Për të mos ta marrë seriozisht kjo është farsë sepse Alibeaj s’përfaqëson asgjë, vetëm Lulin. Rama luan me minorancën e minorancës së minorancës. E bëjnë këtë për të mbajtur një telenovelë në treg, që mediat të merren, por që s’ka asnjë vlerë. Mund të ketë naiv që besojnë te Presidenti konsensual. Këta të interesuarit gëzohen sepse thonë ja na doli emri. Këta ka kohë që s’janë asgjë, me përjashtim të Dash Shehut. Është një lloj marketingu. Kur del emri në TV për diçka, hop papritur bëhesh i rëndësishëm. Është karrem për të përfituar reputacion, lekë, ndonjë qokë, por në thelb është kala rëre, nuk ekziston”.
I pyetur se kush mund të jetë emri i përzgjedhur nga Rama për President, Çani thotë se kryeministrit do t’i interesonte një profil i tipit Ina Rama.
Askush nuk e di. Vetë Rama duhet të ketë 2-3 profile, ose 4. Sa më shumë të shtyhet ky bullshit aq më mire për Ramën. Një profil që atij do t’i interesonte, do ishte një profil i tipit Ina Rama. Ose një profil si Besjana Kadare, vajza e Kadaresë. Nëse do jetë burrë s’e kam idenë”.
Sa i takon marrëveshjes PS-PD për zgjedhjen e kreut të shtetit, analisti bëri këtë koment:
Amerikanët takojnë Alibeajn, qeveria njeh Alibeajn, kështu që ata janë brenda lojës. Po mundohen të mbijetojnë duke u futur brenda sistemit të regjimit. Unë mendoj që me Kushtetutën që kemi, dhe faktin që Rama mund ta zgjedhë i vetëm, Presidenti është legjitim. Ai këtë e bën për teatër, që ndërkombëtarët të thonë ja ka konsenus. Është idiotësi sepse mban erë, është ambalazh, jo më shumë se kaq. Po flasim për karikaturë të Presidentit”.
Duke u ndalur te figura e Metës, Çani tha se nëse ai shpallet non grata si Berisha mund t’i rrisë stimulin për t’u bashkuar me “doktorin” dhe për të marrë më shumë vota në zgjedhjet lokale.
Meta është njeri me nuhatje politike të fortë, pavarësisht ndonjë rrëshqitje në nervozizëm që ka patur. Meta në thelb, nëse do ishim gjallë pas 100 vjetësh, në historinë e këtij vendi do mbetet, si një nga Presidentët më aktivë, që ka dhënë një kontribut shumë pozitiv ndaj një regjimi autokratik të rrezikshëm. Ka lënë disa akte, që unë them kanë qenë të shëndetshme. Ndoshta sot s’i shohim dot, por kur gjërat do kthjellohen, do kuptojmë që një vendi i duhet një President i tillë kur sistemi është i kapur. Gjithë pyetja është a do ketë fatin e Berishës. Dikush mund të thotë më mirë të shpallet non grata sepse i rritet stimuli për t’u bashkuar me ‘doktorin’ dhe për të marrë më shumë vota në zgjedhjet lokale”.



