Të dhëna dhe dëshmi të reja hedhin dritë mbi fatin e shqiptarëve që u arrestuan nga nazistët në operacionet e dimrit 43-44 dhe u dërguan në kampin e përqendrimit të Mauthauzenit, para çlirimit të Shqipërisë.
Një studim i detajuar i kësaj copëze të historisë së shqiptarëve, i shtrirë në dy vite, i ka paraprirë një ekspozite që do të qëndrojë e hapur përgjatë 10 ditëve në Muzeun Historik Kombëtar. Eva Kushova, e cila drejton projektin, thotë se ndjekja e historive të të mbijetuarve çoi në zbulimin e artefakteve të reja.
“Nga ferri në ferr”, një dokumentar që rikrijon historitë e atyre që vuajtën në kampin nazist të përqendrimit në Austri, është pjesë e kësaj ekspozite. Krahas elementëve të tjerë si foto, dokumente apo instalacione VR, ekspozita ka një seksion edukues, për t’ua përcjellë këto ngjarje brezave të rinj.
Ekspozita “Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen”, një ide e organizatës DMO ALBANIA në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, është financuar nga Fondacionin gjerman për Kujtesën, Përgjegjësinë dhe të Ardhmen. Historitë e mbijetesës që rrëfehen përmes e fotove dhe dëshmive lënë pas një mision që duhet përmbushur.



