Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi teksa ndodhej ditën e sotme në Elbasan, ka paralajmëruar një mbyllje të shkollave për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, ministrja ka marrë dhe mendimet e mësuesve dhe nxënësve për mësimin e kombinuar në shkollë dhe mësimin “online”.
Gjatë fjalës së saj, ministrja deklaroi se këtë fundvit do të ketë një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera.
“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi ‘online’, por edhe konsiderohen si jo-transmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tre-mujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, u shpreh Kushi.



