
Zv ministri i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Agim Nuhiu ka komentuar sot përmes edicionit të lajmeve të MCN TV deklaratën e presidentit Ilir Meta se pakicës maqedonase në Pustec të Korçës po u vidhet identiteti, për t’ua dhënë personave me rekorde kriminale.
Nuhiu tha se beteja për sa i përket institucioneve kundër luftës së përdorimit të të dhënave s’është një betejë e lehtë. Ai shtoi më tej se me Shqipërinë kanë bashkëpunim të mirë dhe për të mos vënë në pikëpyetje procesin nuk pohoi dhe as nuk mohoi deklaratën e presidentit. "Nuk mund të mohoj diçka të tillë, por as nuk dua ta pohoj", tha ai.
Intervista e Agim Nuhiut për MCN TV:
Nuhiu, pak ditë më parë, presidenti Ilir Meta deklaroi se pakicës maqedonase në Pustec të Korçës po u vidhet identiteti, për t’ua dhënë personave me rekorde kriminale. A jeni njohur ju me rastin në fjalë dhe a keni kërkuar verifikime. Nëse po, çfarë përgjigje keni marrë nga autoritetet shqiptare lidhur me këtë çështje?
Nuhiu: Unë dua të them që beteja për sa i përket institucioneve kundër luftës së përdorimit të të dhënave s’është një betejë e lehtë dhe as e përkryer. Ne do të jemi në një betejë të vazhdueshme. Keqpërdorimi i informacioneve ka histori nga më të ndryshmet. Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet një proces për 250 pasaporta falso të MV. Ministria e Brendshme është në koordinim për të avancuar në këtë hetim me Interpolitin dhe zyrën e ambasadës së SHBA në Shkup. Me Shqipërinë kemi bashkëpunim të mirë dhe për të mos vënë në pikëpyetje procesin nuk dua të pohoj deklaratën e Metës për keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve të Pustecit. Falsifikimi ka përfshirë shtetas të vendit në Rajon, por nuk dua të shpalos gjëra.
As nuk e mohon as nuk e pohon?
Nuhiu: Nuk mund të mohoj diçka të tillë, por as nuk dua ta pohoj.
Ju jeni një vend me precedent sa i takon këtij fenomeni, pasi një vit më parë një pjesë e madhe e popullsisë ka qenë viktimë e vjedhjes së të dhënave. Si kanë vepruar autoritetet e Maqedonisë së Veriut në këtë rast?
Nuhiu: Për hir të së vërtetës në MV kemi shënuar tre skandale sa i përket identitetit të qytetarëve, u konstatuan me karta ID qytetarët e Pustecit për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2013-ës, çështja tjetër ishte ekzistenca e numrave të dyfishtë të qytetarëve dhe pasaportat me identitet të rremë. Shteti ka vepruar pas këtyre veprimeve kriminalistike dhe ka marrë veprime dhe ka eleminuar të gjitha të dhënat. Aspekti tjetër është digjitalizimi dhe themelimi I një qendre që kanë të bëjnë me të dhënat e qytetarëve ku do të ruhen dhe të mos keqpërdoren.
Sa e cënon kjo sigurinë kombëtare?
Nuhiu: Njerëzit që marrin identitet të rremë duan ti ikin drejtësisë ose kanë synime të tjera dhe kjo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
A duhej mbledhur këshilli i sigurisë kombëtare?
Nuhiu: Për çdo indikacion është obligim i gjithsecilit të informohen organet ligjzbatuese dhe në këtë mënyrë rrjedhin procedurat.



