Gazetari Arsen Rusta ka zbuluar sot të tjera detaje nga seanca maratonë që u mbajt dje për çështjen “Gërdeci”. Rusta bën me dije se dje kanë dëshmuar 7 persona, mes të cilëve edhe Viktor Pershqeta, shefi i municioneve të armatimit të ushtrisë shqiptare. Ai ka sqaruar përdorimin e fjalës “shef”, duke u shprehur se kështu i drejtoheshin ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu. Për herë të parë në seancën e djeshme është thënë se fillimisht ishte përzgjedhur Bërzhita, si vendi për demontimin e municioneve, por më pas ishte vendosur për ish-repartin e tankeve në Gërdec.
Një seancë maratonë e ditës së djeshme, e cila ka përfunduar rreth orës 15:50, ku ka qenë i pranishëm ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Kërkesat e prokurorëve Klodian Braho dhe Arben Kraja ishin për të vazhduar me një listë të gjatë dëshmitarësh. Ditën e djeshme kanë dëshmuar 7 prej tyre. Ardian Mullai ish-këshilltari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, është shprehur se për aq kohë sa unë kam qenë në detyrë nuk kam ndjekur procedura që lidhen me Gërdecin, nga ana tjetër ish-ushtarakë dhe ish-staf i kompanisë së demontimit të municioneve, kompanisë shtetërore MEIKO, që ka pasur një kontratë me kompaninë private Albademil. Për herë të parë është folur në seancën gjyqësore të ditës së djeshme se fillimisht ishte përzgjedhur Bërzhita, për vendin e demontimit të municioneve, por ekspertët kanë thënë se aty pranë kishte banesa, kishte komunitete që jetonin dhe për këtë arsye më pas është zgjedhur ish-reparti i tankeve në Gërdec, ku sipas ministrit Mediu kishte edhe një depo municionesh. Ka pasur debat nëse municioni mund të mbahej në kontejner, në ambiente të hapura, depo, është apo i rrezikshëm një sasi e madhe, sasi e vogël. Dëshmitari Viktor Pershqeta, shefi i municioneve të armatimit të ushtrisë shqiptare përgjatë viteve 2007-2013 është shprehur se ‘teksa unë kam qenë në detyrë Ilmi Laçi, shefi im ka folur për një urdhër, bëhet fjalë për urdhrin 20/44 dhe ai ka dëgjuar nga Ilmi Laçi se duhej me shpejtësi urdhri, pasi e kërkonte shefi. I pyetur nga gjykata se çfarë kuptonte ai me fjalën shefi, Viktor Pershqeta është shprehur se me fjalën shefi në zhargonin e përditshëm nënkuptohej ministri, ndërsa për shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ata kishin pseudonimin gjenerali. Gjithëçka do të rikthehet më 7 dhjetor, ku pjesë e listës pritet të jetë dhe Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berisha”.



