
Më në fund, pas muaj të tërë bisedimesh, Italia ka qeverinë e saj, pasi u arrit marrëveshja qeverisëse mes Lëvizjes 5 Yje e Partisë Lega.
Betimi i qeverisë së e re populiste të Italisë i ka dhënë fund muajve të pasigurisë politike. Kabineti i ri qeveritar është betuar para presidentit italian, Sergio Mattarella pasditen e sotme. Presidenti i dha mandatin e kryeministrit, juristit Giuseppe Conte, 53 vjeç, një profesor i ligjit, pa përvojë politike, ndërsa dy liderët e koalicionit qeverisës Luigi Di Maio e Matteo Salvini do mbulojnë rolin e zëvendës/kryeministrave.
Gjithashtu, Matteo Salvini, do të jetë ministër i Brendshëm, ndërsa Luigi Di Maio në postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Punës e Politikave Sociale.
Qeveria "Conte" do të ketë 18 ministra, 5 prej të cilave janë femra.
Ekonomisti Paolo Savona, i debatuar më herët për postin e ministrit të Ekonomisë e Financave, do të jetë ministër për Politikat e Bashkimit Europian, ndërsa ministër i Ekonomisë është emëruar profesori Giovanni Tria.
Ministër i Jashtëm është emëruar Enzo Moaveri, me një eksperiencë profesionale të gjatë pranë institucioneve europiane e ish-ministër i Politikave europiane në qeveritë Letta e Monti.
"Do të punojmë fort për të arritur të gjitha objektivat e programit tonë qeverisës", janë fjalët e para të Giuseppe Contes si kryeministër .
"Do të punojmë fort për të përmirësuar cilësinë e jetës të të gjithë italianëve".
BBC raporton se Lëvizja Pesë Yje dhe Lega kanë arritur marrëveshjen e koalicionit, duke u përgatitur për të vendosur ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës në një rrugë të shkurtimeve të taksave, të ardhura të garantuara bazë për të varfërit dhe deportimet e 500 000 emigrantëve.
Ata kundërshtojnë kushtet e kursimit të BE dhe duan të rinegociojnë borxhin e Italisë.
Pra, çfarë do të thotë kjo qeveri, e udhëhequr nga profesori i ligjit Giuseppe Conte, për Italinë dhe pjesën tjetër të Evropës?
As Pesë Yjet e as Lega nuk janë tifozë të monedhës së vetme. Udhëheqësi i Legës, Matteo Salvini, tha jo shumë kohë më parë se euro ishte "një gabim" për ekonominë e Italisë, ndërsa Pesë Yjet dëshironte një referendum mbi anëtarësimin e ardhshëm të Italisë.
Por ata kanë lënë ambicien e tyre fillestare të daljes nga euro dhe tani flasin për përpjekjen për ta reformuar atë nga brenda.



