Emiljano Mekolli, djali 16-vjeçar i gruas që pak ditë më parë u vra nga i shoqi në shtëpinë e tyre në Pogradec, thotë se ka patur ëndërr të punojë në emigrim që nëna e tij të mos vuante më. Nga Italia, ku qëndron në mënyrë të paligjshme, ai ka folur për “Klan Plus” në lidhje me marrëdhënien mes nënës dhe babait të tij.
Telefonata e fundit sipas tij ka qenë vetëm pak minuta para krimit, përmes të cilës ka dëgjuar thirrjet e nënës.
“Më ka telefonuar babai dhe më ka pyetur, Emiljano si je? Mirë, ti si je? Kam dëgjuar zërin e nënës … duke thirrur Emiljano jo, jo gjëra të tjera dhe më pas e mbylli”. Emiljano tregon se në 6 vitet e fundit, pasi i ati ishte kthyer nga emigrimi dhe kur kishte rënduar përdorimin e alkoolit, dhuna ishte e përditshme. “Ai na dhunonte barbarisht të dyve dhe konsumonte alkool, këto 6 vitet e fundit kam parë tmerr me sy”.
Një përpjekje për të denoncuar dhunën e të atit përmes telefonit nuk kishte mjaftuar për të vënë në lëvizje policinë e Pogradecit. Ndërsa sot nuk i mbetet tjetër veçse ta kujtojë nënën e tij si heroinë, si gruan që bënte punë të renda për të ushqyer atë, dhe të atin vrasës.
Djali kujton se i ati kishte tentuar të vriste veten kur kishte qenë ushtar. Kjo për shkak të një drame dashurie, mes tij dhe një vajze fshati, të cilën gjyshi i Emiljanos nuk e kishte lejuar. Nuk dihet nëse kjo ka qenë fillesa e traumës që do ta shoqëronte më tej Bashkim Mekollin, por sot Emiljano numëron brengat dhe pendesat, që nuk arriti ta shpëtonte dot nënën e tij, apo edhe që luftoi që familja e tij të mbetej e bashkuar me shpresën se do të ishte i lumtur një ditë.



