Analisti Adri Nurellari tha në emisionin “Arnautistan” se Kosova nga e përkëdhelura e Perëndimit, po shndërrohet në një kokëdhimbje, si pasojë e qeverisjes Kurti. Nurellari e konsideroi kryeministrin e Kosovës një “kameleon politik” që ka ndryshuar shpesh qëndrime. Nurellari tha se as Kurti Vuçiç se duan marrëveshjen Kosovë-Serbi. Sipas analistit Kurti e di që s’ka të ardhme politike më, nëse vendoset paqja me Serbinë, pasi nuk do të luajë më me emocionet e njerëzve.
Ka një gjuhë të paprecedentë ndaj Kosovës, që nga e përkëdhelura e Perëndimit, po shndërrohet në një kokëdhimbje. Escobar-i dhe Lajçaku kanë deklaruar në mënyrë të prerë se barrikadat do t’i heqin ata që i kanë vënë. Madje kanë deklaruar se ata kanë arsye legjitime për t’i vënë ato barrikada. Kemi situatë ku i thonë Kurtit, 'mos guxo të hedhësh një hap më tutje!'. Kurti është një kameleon politik që ka ndryshuar shumë gjëra deri tani, ka dalë kundër Rambujesë, s’ka njohur pavarësinë e Kosovës, e ka konsideruar flamurin lara-lara... Nuk habitem nëse e nënshkruan marrëveshjen për Asociacionin, por për të do ishte një harakiri politik.
Serbia ka qenë nën presion ndërkombëtar për t’i vendosur sanksione Rusisë. Serbia është në super presion dhe kemi super angazhim të Perëndimit. E shikon Ballkanin si oborr të shtëpisë. Nëse BE vitin e kaluar hezitonte të fuste fjalën zgjerim, në deklaratën e Tiranës kemi super angazhim. Kemi kthim të vëmendjes nga Brukseli. Në rrafshin e brendshëm Kurti i ka duar të lira. Ka një opozitë konstruktive, ndryshe nga Kurti që ka gjuajtur me molotov, me gurë, me domate. E vetmja pengesë e Kurtit është Kurti dhe e kaluara e tij nga e cila ai e ka të vështirë të shkëputet.
Kurti s’mendon për interesin e Kosovës, por për interesin e tij personal. As Kurti as Vuçiçi s’e duan marrëveshjen. Kurti ka rënë në grackën e Vuçiçit dhe në sytë e ndërkombëtare po del Kurti pengesa. Kurti e di që s’ka të ardhme politike më, nëse vendoset paqja me Serbinë. Nuk ka me çfarë emocionesh të luajë më. Të njëjtën frikë ka edhe Vuçiçi. Edhe Putini është popullor, edhe Chavez-i ka qenë popullor, po Venezuela nga një vend i bekuar sot është në zi buke. Kurti është ende popullor sepse loz me emocionet, ai e di prandaj e bën këtë gjë. Kurti ka treguar se është pushtetar, jo shtetar, dhe u ka ardhur në majë të hundës edhe partnerëve ndërkombëtarë”.



