Protestat, Dom Mark Pashkja: Politika duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje përmes dialogut (VIDEO)

Protestat, Dom Mark Pashkja: Politika duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje përmes dialogut (VIDEO)

Për herë të parë vjen një reagim zyrtar nga Kisha Katolike e Shqipërisë lidhur me protestat e javëve të fundit. Përmes një deklarate publike, Kisha ka bërë thirrje që politika të dëgjojë shqetësimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve, duke kërkuar që zgjidhjet të gjenden përmes dialogut dhe brenda kornizave demokratike.

 

I ftuar në 'MCN Informacion', zëdhënësi i Kishës Katolike, Dom Mark Pashkja, tha se institucioni që ai përfaqëson është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe njeh nga afër sfidat me të cilat ata përballen.

 

Kisha Katolike është në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe jeton çdo ditë me sfidat e tyre. Nisur nga ky realitet, ishte e natyrshme që Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë të reagonte përmes deklaratës së saj publike. Ne kërkojmë që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe problematikat që ata ngrenë të merren seriozisht në konsideratë. Janë çështje që ne i njohim mirë dhe që nuk mund të konsiderohen aspak të vogla.

 

Sipas tij, protestat e zhvilluara gjatë dy javëve të fundit kanë pasur një karakter qytetar dhe jo partiak, çka i ka bërë ato edhe më domethënëse.

 

Besoj se të gjithë e kemi parë se protestat e këtyre javëve kanë qenë protesta me karakter kryesisht apolitik. Kanë bashkuar shumë grupe të rinjsh, të ashtuquajturën Gjenerata Z, të cilët kanë ngritur çështje konkrete që lidhen me të ardhmen e tyre dhe me standardet e jetës në vend. Duke pasur parasysh temat që janë ngritur, Kisha Katolike nuk mund të qëndronte indiferente ndaj këtyre problematikave.

Zëdhënësi i Kishës Katolike nënvizoi se rruga për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet të kalojë përmes dialogut mes qytetarëve dhe institucioneve.

 

Kisha jeton me të njëjtat shqetësime që përjetojnë qytetarët dhe protestuesit. Për këtë arsye ishte normale që të reagonim duke kërkuar një zgjidhje brenda kornizave të demokracisë, ku duhet të mbizotërojë dialogu mes protestuesve dhe organeve qeveritare. Një nga aspektet më pozitive të kësaj proteste ka qenë fakti se ajo ka qenë qytetare, me kërkesa që përputhen me realitetin europian dhe pa episode dhune.

Ai u ndal edhe te çështje të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e pronës private, të cilat i konsideroi të lidhura ngushtë me dinjitetin njerëzor.

 

Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e pronës private janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me dinjitetin e njeriut. Nuk mund të pretendojmë zhvillim të vërtetë nëse nuk respektohen këto parime themelore. E drejta e pronës private është një e drejtë bazike demokratike dhe kur flasim për të, flasim për një të drejtë themelore të individit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy