
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, thotë se zgjidhja e problemit të pronës dhe zvogëlimi i varësisë nga subvencionet do të vërë ekonominë në lëvizje. Duke u ndalur te vlerësimi i Moody-s, Nunaj tha se mbetemi në të njëjtin nivel me atë të nëntorit 2022, por risia është ulja e nivelit të borxhit publik.
Nëse e krahasojmë me borxhin publik, ka pasur rënie të ndjeshme. Në pandemi kapërceu në 74%, që e rëndoi më shumë gjendjen. Vitet e mëpasshme patën një rimëkëmbje përsa i përket uljes së nivelit të borxhit. E para sepse u rimëkëmb ekonomia pas krizës së pandemisë dhe e dyta u zhvlerësua euro dhe kjo ndihmoi në uljen e borxhit.
Elementi borxh publik ndikon direkt në rritjen e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e saj. Vlerësimi i Moody-s është i njëjtë me atë të nëntorit 2022, por ndryshimi është efekti favorizues që kemi të bëjmë me uljen e nivelit të borxhit publik.
Ajo që ndikon në mbajtjen e një ekonomie të qëndrueshme lidhet me varësinë nga importi. Automatikisht përcillen të gjitha krizat. Ne kemi risk të rëndësishëm fiskal që lidhet me importin e energjisë elektrike. Kemi vënë theksin te nevoja që ka ekonomia ta shkëpusë efektin e subvencionit të sektorit përmes buxhetit, në mënyrë që të mos gërryhen financat publike.
Duhet të synojmë të zgjidhim problemin e pronës. Është e nevojshme të zvogëlojmë varësinë nga subvencioneve, për t’u dhënë frymëmarrje të ardhurave publike, në mënyrë që ta nxjerrim ekonominë nga gjendja vegjetative.



