Drejtuesi politik i PS në Elbasan, Damian Gjiknuri, foli sot para mediave mbi përgjimet e Çapjave dhe protestën që është thirrur nga opozita më 6 dhjetor.
Lidhur me përgjimet ku flitet për shtetasin “Taulant”, ku dyshohet për deputetin Taulant Balla, Gjiknuri tha se këto janë deklarata mediash dhe nuk ka dijeni për vërtetësinë e tyre.
Gjiknuri tha se:
Nuk dua të merrem me deklarata mediash sepse nuk e di vërtetësinë e tyre, ato duhet t’ua bëni pyetje personave konkret. PS është parti e fortë, që bazohet te vullneti i njerëzve, dhe nuk mund të njolloset nga akuzat që bëhen nga media të caktuara, apo qarqe të caktuara.
Sa i takon protestës së 6 dhjetorit, Gjiknuri tha ajo i bën turp vendit, pasi s’ka qenë zakon i shqiptarit të presë miqtë me protesta.
Mazhoranca s’ka bërë asnjë hap apo masë administrative për të penguar asnjë protestë. Përkundrazi opozita në këto vite ka gëzuar çdo të drejtë për të bërë protesta, jo si dikur kur pengoheshin protestues me Berishën e parë, apo vriteshin protestues me Berishën e dytë. Problemi është që protesta i bën turp vendit, ditën kur vijnë kryeministrat e Europës në Tiranë, Tirana merr flamurin e Ballkanit Perëndimor dhe kthehet në qendër të diplomacisë europiane për sa i përket fateve të rajonit...S’ka qenë zakon i shqiptarit të pres miqtë me protesta, apo të ngrejë problemet e shtëpisë me protesta“.



