Analisti Ben Andoni, thotë se në vend që të shtohet intensiteti i protestës së opozitës, ai po humbet.
Në një lidhje për studion e lajmeve në MCN TV lidhur me protestën e sotme, ai deklaroi se njerëzit janë jashtëzakonisht të lodhur me Partinë Demokratike dhe situatën në vend, përçarjen e PD dhe zvarritjen në gjykata.
Sipas tij, më shumë janë militantë dhe mbështetës të zotit Berisha se sa pjesa gri.
Është bërë shumë i lodhshëm narracioni nga parlamenti në terren. Ne dje prisnim që opozita të përballej me forcë me Kryeministrin, por në fakt ndodhi seanca më e qetë.
Dhe sot kemi ditë javë që na thuhet është revolucion, por publiku është jashtëzakonisht i lodhur. Zona gri nuk është indiferente, është një zonë që e ndjen situatën e vendit dhe distancohet me sistemin politik.
Njerëzit ikin nga mungesa e mundësive. Çfarë alternative do na japë kjo opozitë? Ne jemi pranë zgjedhjeve dhe nuk dimë platformën e opozitës për qytetet tona.
Berisha duhet të mobilizojë gjithnjë e më shumë njerëzit, ndërkohë që opozitës i mungon kauza. Sot nocionin kryesor mund ta zinte korrupsioni dhe problematikat.
Por sot zoti Berisha bashkë me aleatin zotin Meta, megjithëse mendojnë për revolucionin dhe ushtrojnë presion mbi drejtësinë, nuk përtypen me këtë lloj demokracie që kemi.
Reforma në drejtësi e bërë me bekimin e dy palëve na ka çuar deri këtu ku jemi, por është shumë larg pritshmërive të publikut.
Por ti nuk mund të paragjykosh një reformë të cilën ti ke ngritur kartonët në parlament.
Çështja ‘McGonigal’ është mirëfilli problem amerikan dhe nuk mund të ngrije kauzë për diçka që nuk ke referime të vërteta, se duke mos pasur referime të vërteta u kthye në tribunë për zotin Rama nga disfavor, në favorin e tij.
Duhet strategji e re në qasjen me publikun.
Sa i takon gjyqit në Apel për logon e Partisë Demokratike, Andoni tha se të dyja palët e Partisë Demokratike kanë mundësi të garojnë, por sipas tij nuk duhet harruar se grupi i Rithemelimit e ka ndërruar simbolikën.
Ndërsa grupi tjetër që beson se mban pjesën tjetër dhe mund të regjistrohet me emrin e zotit Basha. Të dyja palët e kanë mundësinë të paraqiten në votim.
Problemi i madh i publikut shqiptar, është se për të na dhënë kandidatët për qytetet, duhet të tregonin se si mund të bashkëpunonin me njeri-tjetrin.
Nëse një kandidat ushqen mirëkuptim nga të dy palët pse të mos bëhen bashkë, se pushteti lokal nuk është pushtet politik, megjithëse e kthejnë në të tillë.
Cilido të jetë vendimi se nuk e parashikoj dot, mendoj që të dyja pjesët penalizohen për të marrë pjesë në votime.
Gjykata e ka pasur mundësinë gjatë gjithë kësaj kohe të jepte një lloj verdikti dhe ta lironte opozitën nga ky mal i madh që mban mbi shpatulla.



