Tela: SPAK pretendon se prona e Zvërnecit është përfituar përmes falsifikimit, nuk i takon Artur Shehut

Tela: SPAK pretendon se prona e Zvërnecit është përfituar përmes falsifikimit, nuk i takon Artur Shehut

Gazetari Andi Tela ka zbardhur detaje nga dosja e fundit e SPAK-ut që çoi në arrestimin e disa personave të dyshuar për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe tjetërsim pronash, duke u ndalur veçanërisht te hetimet për pronën e Zvërnecit, rolin e Artur Shehut dhe lidhjet e dyshuara me investime në sektorin e ndërtimit.

 

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Tela sqaroi se masat e sigurisë dhe sekuestrimet e pasurive janë pjesë e të njëjtit vendim gjyqësor, por lidhen me procedime të ndryshme hetimore.

 

Për masat e arrestit për të gjithë këta persona dhe për tre vendime të tjera që kanë të bëjnë me sekuestrime pronash, pavarësisht se të gjitha janë përfshirë në një vendim gjyqësor, bëhet fjalë për çështje të ndara. Aty mund të lexosh të gjithë historinë e Artur Shehut në lidhje me pronën e Zvërnecit. Arrin të kuptosh se si, nga dita zero e deri tani që u sekuestruan paratë e shitjes së pronës së Zvërnecit, kjo pronë ka kaluar në duart e Artur Shehut.

 

Sipas gazetarit, në qendër të hetimeve ndodhet pikërisht mënyra se si është përfituar prona në Zvërnec, ndërsa SPAK dyshon se i gjithë procesi është realizuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

 

Si ka ndodhur falsifikimi? Prokuroria e SPAK-ut pretendon se e gjithë prona është përfituar përmes falsifikimit. Pra, nuk i takon Artur Shehut, por është përvetësuar në bashkëpunim me persona të tjerë. Në qendër të hetimit është Artur Shehu për falsifikimin e pronës së Zvërnecit. Ai del te tokat e Zvërnecit në bashkëpunim me një avokat të njohur në Vlorë dhe me një zyrtar të Hipotekës së Vlorës.

 

Tela shtoi se dosja hetimore përmend edhe një funksionar publik që, sipas hetuesve, ka luajtur rol në këtë histori dhe që rezulton pjesëmarrës në takimet e njohura si “mbledhja e Arubës”.

 

Duke folur për një tjetër episod të përfshirë në hetim, gazetari u ndal te një projekt ndërtimi i planifikuar në një zonë pranë “Air Albania”, ku sipas tij Artur Shehu do të përfitonte një pjesë të pronës në këmbim të ndikimit për sigurimin e lejeve dhe procedurave të nevojshme.

 

Bëhet fjalë për një pronë të madhe pranë zonës së ‘Air Albania’, e cila dikur ka qenë fushë futbolli dhe fusha të njohura volejbolli. Aty ishte planifikuar të ndërtohej një pallat i madh. Prona ishte e familjes Grori dhe e familjes Ram Amiri Xhika. Artur Shehu do të përfitonte një pjesë të pronës, pra do t’i dhurohej një pjesë e saj. Këtu kam përshtypjen se është zhvilluar edhe mbledhja e famshme e Arubës, me idenë që Artur Shehu të ndikonte në marrjen e lejeve të ndërtimit dhe procedurave të tjera. Në këmbim, ai do të merrte një pjesë të pronës.

 

Megjithatë, projekti nuk u realizua sipas planit fillestar, pasi në zonë u ndërtua pista e biçikletave, ndërsa hetimet mbi pronësinë e truallit vijojnë.

 

Megjithatë, ngërçi mbeti, sepse prona i përkiste Dizdarit në momentin kur u bë sekuestrimi. Pra, këtu ka nisur hetimi dhe kjo e ka mbajtur peng të gjithë historinë. Ndoshta për këtë arsye nuk është mundur të ndërtohet pallati.

 

Një tjetër pjesë e rëndësishme e dosjes, sipas Telës, lidhet me vëllezërit Koçeku, të cilët SPAK i lidh me aktivitete të trafikut të drogës dhe me tentativa për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga ky aktivitet.

 

Një element tjetër i rëndësishëm janë vëllezërit Koçeku, të cilët janë marrë me trafik droge. Në dosje flitet për sasi të mëdha droge të sekuestruara që lidhen me ta. Kini parasysh se, nëse të sekuestrohen gjashtë ton kokainë, mund të imagjinohet sa sasi të tjera mund të kenë kaluar. Nga viti 2019 deri në janar 2021, periudhë në të cilën është zhvilluar edhe samiti i famshëm i Arubës, vëllezërit Koçeku kanë pasur takime të shumta, përfshirë edhe në Antverp të Belgjikës.

 

Sipas Telës, hetimet kanë zbuluar edhe lidhje të dyshuara mes vëllezërve Koçeku dhe biznesmenit Ilir Shtufi në disa projekte ndërtimi në kryeqytet.

 

Sipas hetimit, ata kanë kërkuar të pastrojnë paratë e drogës. Për këtë qëllim janë lidhur me biznesmenin Shtufi. Së bashku kanë arritur të ndërtojnë tre pallate në Tiranë. Në këto projekte, vëllezërit Koçeku kanë pasur pjesën e tyre të investimit. Sipas SPAK-ut, investimi është strukturuar në mënyrë që të fshihej pronësia reale përmes transaksioneve dhe kalimit të pasurive nga një person te tjetri. Sipas dosjes, Koçeku dhe Shtufi janë investitorë në tre kulla ose pallate të mëdha në Tiranë. Pjesa më e madhe e sekuestrimeve lidhet me apartamente në këto ndërtime.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy