Historiani Paskal Milo thotë se Vatikani dhe burimet e tij arkivore janë një sfidë e madhe për historiografinë shqiptare dhe për studiuesit shqiptarë, të cilët në vijimësi kanë qenë në arkivat e tij.
Në një intervistë për MCN TV ai deklaron se ka nevojë për shumë më tepër angazhim, në drejtim të arkivave të Vatikanit, pasi aty ka fonde të tëra ende të panjohura për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Milo nënvizon nevojën që shteti shqiptar të investohet në përgatitjen e specialistëve dhe ekspertëve të cilët mungojnë aktualisht në Shqipëri.
Sipas tij, është diskutuar në Akademinë e Shkencave dhe do i paraqitet së shpejti edhe qeverisë nevoja për të investuar në përgatitjen e specialistëve të rinj në disa fusha, siç mund të jetë fusha e gjuhëve të rralla të huaja, e greqishtes së vjetër, latinishtes së vjetër, e turqishtes osmane, ku mungojnë ekspertët dhe specialistët, të cilët duhen dërguar të studiojnë jashtë.
Ndonëse studiues të mirënjohur shqiptarë por dhe të huaj kanë bërë kërkime në mënyrë periodike, kanë bërë dhe botime, rreth materialeve që kanë gjetur në arkivat e Vatikanit, por Vatikani mbetet një burim i madh informacioni dokumentar, për historinë e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
Ka nevojë që shteti shqiptar të investohet në përgatitjen e specialistëve, ekspertëve që mungojnë për fat të keq tani në Shqipëri. Kemi patur një brez të mirë studiuesish në të shkuarën, kemi dhe tani pak fare njerëz që merren me studime bizantine dhe prejardhje nga Vatikani, por për fat të keq, sot përballë këtyre sfidave që kemi, ambicieve historiografike, është e nevojshme të kemi të përgatitur studiues të rinj.
Është diskutuar në Akademinë e Shkencave dhe do i paraqitet së shpejti edhe qeverisë nevoja për të investuar në përgatitjen e specialistëve të rinj në disa fusha, siç mund të jetë fusha e gjuhëve të rralla të huaja, e greqishtes së vjetër, latinishtes së vjetër, e turqishtes osmane, ku për fat të keq na mungojnë ekspertët, specialistët.
Duhen dërguar të studiojnë jashtë, se kush do të merret në të ardhmen me trajtimin e kësaj historie shqiptare ndër shekuj, kur mungojnë specialistët e mirëfilltë, për ta sqaruar gjithnjë e më mirë historinë shqiptare të këtyre shekujve.
Shkenca dhe historiografia shqiptare e kanë problem dhe duhet investuar fort të vëmë në vend dhe të interpretojmë sa më mirë historinë e popullit shqiptar. Edhe arkeologjia bizantine ka nevojë që të mos i nënshtrohet spontanitetit, ka nevojë që të përgatiten ekspertë të mirëfilltë shqiptarë që mund të shkojnë në kërkime arkeologjike të periudhës bizantine, se ka thesare që ende flenë jo vetëm për periudhën bizantine, por dhe më gjerë.
Arkeologjia është një shkencë me profil të lartë dhe shumë të rëndësishëm kombëtar. Duhet që investimet në këto fusha të jenë primare. Për ta bërë sa më bindëse këtë tezën tonë të mirënjohur, iliro-arbërore-shqiptare, duhen investime që të arrijmë rezultate të tilla, të padiskutueshme, edhe nga njerëz që nuk e njohin këtë vijimësi historike iliro-arbërore-shqiptare, por ka dhe njerëz që mund ta njohin, por qëllimisht e keqinterpretojnë.
Ndaj mobilizimi i burimeve njerëzore dhe financiare, për të përgatitur ekspertë për këto periudha, është shumë e rëndësishme dhe imediate.



