
Në verë sipas të gjitha gjasave do kenë një takim mes presidentëve të Amerikës Joe Biden dhe atij të Rusisë Vladimir Putin. Lajmin e dha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peshkov, i cili gjithsesi nuk tha një datë të saktë.
“Janë bërë disa propozime, por datat e sakta për momentin nuk mund t’i konfirmoj. Tani për tani nuk ka marrëveshje në këtë aspekt. Ne po flasim për muajt e verës, ndërsa ende duhet të analizojmë shumë faktorë të ndryshëm në mënyrë që të arrijmë disa marrëveshje përfundimtare,”- tha Dmitry Peshkov.
“Për momentin, nuk është caktuar asnjë vend ku mund të zhvillohet takimi,”- sqaroi Peshkov.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Kremlinit nuk komentoi mbi mundësinë e një takimi midis udhëheqësve të të dy vendeve gjatë turneut europian të Biden të planifikuar në mes të qershorit, duke shtuar se një propozim i tillë “u bë gjatë një bisede telefonike” midis të dy presidentëve në 13 Prill.
Sipas zyrës së shtypit në Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës, Biden propozoi një samit ruso-amerikan “në një vend të tretë në muajt e ardhshëm”. Presidenti i SHBA më pas sqaroi se ai i kishte sugjeruar homologut të tij rus që të takoheshin në Europë gjatë verës.



