Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha është vënë në pranga, pas një urdhër-arresti të nxjerrë më herët nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se në kuadër të këtij procedimi janë shoqëruar edhe disa persona të cilët ushtrojnë detyrën në Gjykatën e Krujës.
Mes të shoqëruarve mësohet se është kryesekretarja Ela Mallkuçi avokati Aldo Tabaku.
Kush është gjyqtarja e arrestuar
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, vitet e fundit është cilësuar si një nga gjyqtaret që ka liruar nga burgu të dënuar me burgim për vepra të rënda penale. Së fundmi, ndaj saj kishte nisur edhe ILD një inspektim, ndërsa kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares. Sipas ILD, gjyqtarja e Krujës, në kundërshtim me ligjin ka liruar nga burgu disa nga emrat e njohur në botën e krimit.
Enkeleida Hoxha liroi nga burgu ish-numrin dy të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë. Po ashtu, gjyqtarja Hoxha liroi nga burgu edhe Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, ka paralajmëruar më herët se vendimet e gjyqtares Hoxha do të jenë objekt verifikimi në vijim.
Ndërkohë, SPAK mësohet se prej disa muajsh kishte nisur hetim ndaj gjyqtares së Krujës, duke e mbajtur atë nën vëzhgim për çdo veprim apo vendim që jepte në institucionin ku ushtronte detyrën. Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se në hetimin e hapur prej disa muajsh janë mbajtur nën vëzhgim dhe janë përgjuar disa nga emrat e përfshirë në këtë skemë korrupsioni, përfshirë këtu gjyqtarë e prokurorë.
Gjatë operacionit i cili është zhvilluar orët e para të mëngjesit, janë vënë nën seskuestro disa dosje të vendimeve që ka dhënë gjyqtarja Enkelejda Hoxha, por edhe dosje të cilat ajo i ka në shqyrtim, por që gjatë hetimit janë shfaqur dyshime se po ndodh korrupsion.
Bashkë me gjyqtaren është arrestuar edhe avokati Aldo Tabaku, që sipas SPAK ka bashkëpunuar me gjyqtaren Hoxha.
Vendimet e dhëna nga gjyqtarja
Më 7 nëntor të vitit 2017, Enkeleida Hoxha liroi nga burgu Genci Tafilin, vëllanë e Admir Tafilit, të dy emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare, të akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale. Genc Tafili është liruar në vitin 2017 me kusht nga Gjykata e Krujës nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, pasi kreu 17 vite burg. Po në nëntor të 2017-ës, gjyqtarja Enkeleida Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën “UFO” nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tri herë.
Lirimi i Genc Tafilit
Lirimi me kusht i Genci Tafilit është dhënë pasi kreu 17 vite burg. Ai është vëllai i Admir Tafilit, i njohur në botën kriminale për shumë ngjarje të rënda. Genc Tafili me vëllanë, Admir Tafilin, u dënuan për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari.
Genc Tafili kreu 17 vite burg, nga 25. Ngjarja, për të cilën ai u akuzua dhe dënua, ndodhi në vitin 2000, ku vrau me armë komisarin Zylyftari. Por si u vra Zylyftari? Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2000, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit e akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.
Lirimi i “Ufos”
Në të njëjtën ditë që gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin e Genci Tafilit, i dënuar për vrasjen e Arben Zylyftarit, ajo firmosi daljen nga burgu edhe të Ilir Pajës, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të Policisë, më 6 mars të vitit 2008. Paja po arrestohej për llogari të autoriteteve italiane që e kërkonin pas arratisjes nga burgu, ndërsa ishte i dënuar për dy vrasje.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë shqiptare, në tentativë për t’u larguar, i kërkuari përplasi dhe plagosi rëndë efektivin e Policisë, Blendi Haxhimali. Ky po e ndiqte me motor, në pritje të ndërhyrjes së kolegëve të tij. Vetëm pak para se të arrestohej në Tiranë pranë “Rrugës së Dibrës”, Paja kishte mundur të arratisej nga një ambulancë e Policisë italiane të Burgjeve.
Njohja e vjetërsisë së punës
Pas vendimeve për lirim të të dënuarve me burgime të rënda, gjyqtarja Enkeleida Hoxha rezulton se po në nëntor të vitit 2017 ka dhënë një tjetër vendim skandaloz. Ajo i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.
Por, nuk kanë të mjaftuar me kaq vendimet e favorshme nga ana e gjyqtares Hoxha. Ajo njihet edhe si gjyqtarja që ka dënuar djalin e deputetit Rrahman Rrahja, Redjan Rrajën. Ky i fundit u akuzua për dhunën fizike të përdorur ndaj shtetases Xhisiela Maloku. Kjo ngjarje, kohë më parë, mori përmasa mjaft të mëdha në publikun shqiptar, por në Gjykatë u mbyll vetëm me një dënim me shërbim prove.



