Partia Demokratike festoi 25-vjetorin e krijimit të saj, si partia e parë opozitare pas rënies së regjimit komunist. Në një ceremoni të organizuar në pallatin e kongreseve, u mblodhën të gjithë eksponentët më të lartë të PD-së.
Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalen e tij uroi 25 vjetorin e themelimit të kësaj partie, si edhe u beri thirrje të gjithë shqiptarëve që ti bashkohen kauzës së PD-së për rrëzimin e qeverisë socialiste. Berisha tha se në dy vite Shqiperia ka bërë shumë hapa pas, duke mos e siguruar jetën e qytetarëve shqiptar.
Më tej Berisha shtoi se ashtu si 25 vjet më parë, kur PD i dha shpresë të gjith shqiptarëve, edhe pas 25 vitesh, kërkon që të jetë kjo partia që merr fatin e vendit në dorë duke larguar dyshen qeverisëse Rama-Meta.
”Sot ne jemi 25 herë më të guximshëm. 25 herë më të fuqishëm dhe më të qartë për të mbrojtur liritë tona, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur qënien tonë. Ndaj dhe thirrja ime është, të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi dhe që kërkon koha. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjithë mjetet demokratike sa më parë. Demokrat dhe demokrate prova është e jona, thirrja është e jona, të mos presim asnjë orë dhe asnjë ditë se çfarë po bëjnë shqiptarët. Po të shohim çfarë po bëjmë vetë për ti inkurajuar ata, për ti organizuar, për tu kthyer atyre besimin dhe shpresën se Shqipëria, e bukura e dheut, nuk meriton të largohemi. Por meriton të punojmë me guxim të madh për ta vendosur atë në rrugën e lirisë. Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, demokrat, të mendojë nga mëngjesi deri në darkë për të gjithë format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo ditë qindra e mijëra të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e Sirisë sa i takon azilantëve, që po i vdes në burgje, që po i vdes në kasolle të ftohta pa energji. Në këmbë, në këmbë, në këmbë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”- deklaroi lideri historik i PD-së, Sali Berisha.



