Samiti i Procesit të Brdo-Brionit u mbyll me thirrjen e Presidentit të Sllovenisë Borut Pahor drejtuar BE-së që të përfundojë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndër të tjera kreu i shtetit slloven tha se Brukseli duhet ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i ndihmojë vendet në krizën për energjinë elektrike dhe furnizimit me ushqime.
“Kur u përgatitëm për konferencë, kishim disa dallime. Niveli i besimit nuk është në nivelin më të lartë të munshdëm. Gjatë fazës përgatitore për konferencë, ne kuptuam se ndoshta do të jetë e vështirë ta organizojmë këtë takim. Kjo nuk do të jetë pengesë për Ballkanin Perëndimor. Më vjen mirë që të gjithë kanë marrë pjesë në Samit. Kishim dallime të mëdha, por e kuptuam se nuk mund t’i zgjidhim këto dallime, prandaj u përqendruam në aspektet e përbashkëta”, shtoi ai.
Procesi i Brdo-Brionit nisi në vitin 2010 kur kryeministrat slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, donin të jepnin shembull për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe t'i inkurajonin ata në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.



