Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e një supermarketi në qendër të Peqinit një ditë më parë. Mësohet se Agim Spahiu dhe djali i tij ka rënë pre e dhunës dhe më pas i është grabitur me forcë shuma ditore e xhiros.
Të paktën dy persona që kanë qenë të armatosur me armë zjarri tip kallashnikov janë përfshirë në grabitjen e parave që dispononte Spahiu në market. Mësohet se xhiroja ditore e grabitur të ketë qenë 600-700 mijë lekë të vjetra.
Ata pas grabitjes janë larguar me një automjet që i priste në vendin ku kryen grabitjen. Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Në momentin e përleshjes djali i pronarit ka çarë dorën pas thyerjes së xhamit të derës, për pasojë ka marrë mjekim në spitalin e Peqinit.
Një ditë më pas grabitjes i kontaktuar nga MCN TV Agim Spahiu është shprehur se janë ende të tronditur dhe se sot nuk e kanë hapur biznesin e tyre pasi ende se kanë marrë veten.
Ishte rreth orës 23 të mbrëmjes kur dy persona të maskuar me armë mësyn në supermarket. Nuk i njohëm. Morën paratë e xhiros ditore rreth 600-700 mijë leke të vjetra që ndodheshin në sirtar. Ndërhyri djali që ndodhej me mua. Në atë moment nga përleshja ra xhami i derës dhe ai u lëndua në dorë. Më pas dy personat u larguan menjëherë. Djali ishte në spital. Bëmë denoncimin, por sot jemi të tronditur. Nuk e kemi hapur biznesin sa të marrim veten.
Sikurse duket në pamje biznesi i familjes Spahiu i cili ndodhet në qendër të Peqinit qëndron i mbyllur me qepena. Policia pas marrjes së dëshmive po vijon hetimet për këtë rast.



