
Në sytë e një njeriu që jeton në shekullin e XXI, biçikleta mund të jetë diçka krejt e zakonshme. Por kur biçikletat e para moderne - me pedale, frena dhe rrota gome - u shfaqën për herë të parë në vitet 1890, ato u panë si nxitës i ndryshimeve radikale sociale.
Të pëlqyera nga socialistët dhe femrat që kishin nisur të kërkonin të drejtën e votës me protesta, biçikletat u asociuan menjëherë me emancipimin dhe përparimin. Çiklistet femra braktisën veshjen jopraktike të epokës viktoriane për ta zëvendësuar me pantallona apo kilota.
"Biçikleta është ajo që na duhej", raportonte në vitin 1894 revista “Century”. "Njeriu i varfër ngrihet në një nivel me të pasurin, falë biçikletës, që e bën atë të këndojë këngën e rrugës njësoj si milioneri".
Kjo mund të duket e tepërt sot. Megjithatë, një ndikim të menjëhershëm, biçikleta e pati në aspektin social: njohjet dhe takimet. Çiklistët mund të udhëtonin përtej komuniteteve të tyre, duke rritur në masë të madhe numrin e partnerëve të mundshëm për martesë.
Biçikletat i lejuan të rinjtë të shpëtonin nga mbikëqyrja e familjarëve. Biçikleta për dy persona, e përjetësuar në një këngë të vitit 1892, "Daisy, Daisy", bënte të mundur që çiftet të udhëtonin së bashku.
Edhe defektet ktheheshin në mundësi për takime romantike. Femrat mbështeteshin te gatishmëria e meshkujve kavalierë për riparimet.
"Kishte shumë shpime gomash të bëra me qëllim, çka i linte gjithmonë vend një kthimi në këmbë në shtëpi, bashkë me njeriun që pëlqeje”.
Ndërsa biçikletat nisën të bëhen më të lira, nisi të zhbëhej edhe një bindje e viktorianëve të kohës: ajo se çiklizmi mund t’i bënte femrat infertile, të pamoralshme apo t’u shkaktonte sëmundje.
Në vitet e fundit, një tjetër risi i ka zgjeruar rrethet sociale të njerëzve dhe i ka rritur shanset për romanca: njohjet online. Ashtu si biçikletat, aplikacionet dhe faqet e internetit bashkojnë njerëz që nuk do të ishin takuar ndryshe, por në një shkallë akoma më të gjerë. Në Amerikë, më shumë se një e treta e martesave e kanë origjinën në një takim virtual. Njohjet online janë mënyra më e përdorur për të “takuar” njerëz të gjinisë së kundërt. Ndërsa sa u përket marrëdhënieve të së njëjtës gjini, 70% e tyre tani fillojnë online.
Ka dëshmi se martesat në Amerikë mes njerëzve që takohen në internet ka të ngjarë të jenë më të lumtura dhe të zgjasin më gjatë. Njohjet online gjithashtu mund të bëhen nxitje për martesa mes racave të ndryshme dhe për kapërcimin e ndarjeve sociale. Aplikacionet e njohjeve kanë përfunduar atë që nisi biçikleta. Të dyja këto teknologji, mund të thuash se janë revolucionare. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / Revista 1843 /



