
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç foli për mediat serbe pas bisedës së vështirë që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, lidhur me sulmin e të dielës në Kosovë.
Vuçiç tha se kundërshtoi masat e mundshme të SHBA-ve ndaj Beogradit.
“I thash ti je fuqia. Unë jam kundër kësaj. Duhet t'i përmbahemi të vërtetës”, shprehet Presidenti serb referuar bisedës me Sekretarin amerikan të Shtetit.
Vuçiç shton se e ka pyetur Blinkenin përse EULEX-it i është refuzuar të jetë në veprim në Veri të Kosovës. Ai kërkoi rritje të pranisë së KFOR-it në Veri.
"Ne ramë dakord se de-përshkallëzimi dhe një rol dukshëm më i madh i KFOR-it janë të domosdoshëm dhe Serbia gjithmonë do ta mbështesë këtë. Unë i mohova të pavërtetat për shkallën e lartë të gatishmërisë luftarake të forcave tona. Nuk jemi padakordësuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës," tha Vuçiç, raporton B92.
Ndër të tjera Presidenti serb pretendoi se ka prova se dy apo tre nga serbët janë “asgjësuar me gjakftohtësi” dhe pa profesionalizëm nga Policia e Kosovës. Ai aludoi se agresorët u plagosën dhe u dorëzuan, për t'u vrarë më vonë nga Forcat Speciale të Kosovës në një distancë të shkurtër.
“Vendi ynë ka prova, ne do të ndjekim penalisht vrasës gjakftohtë, kemi deklarata dhe foto që e vërtetojnë këtë”, tha Vuçiç.



