Pas ditëve ku temperaturat ishin të larta, këtë të shtunë vendi ynë është përfshirë nga reshjet e shiut. Qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë në një stuhi shiu, ku pushuesit nuk kanë mundur të bëjnë plazh.

Edhe ata që i ishin drejtuar plazheve që prej orëve të para të mëngjesit, janë detyruar të kthehen në banesa. Si pasojë ka pasur edhe trafik të rënduar.

Moti i keq me stuhi dhe reshje ka përfshirë edhe rajonin e Lezhës. Kjo ka bërë që plazhet në Shëngjin të boshatisen këtë fundjavë të parë të muajit gusht.

Çadrat dhe zhezlongët janë të mbyllura, ndërsa dhe deti është me dallgëzim të lartë. Pushuesit po qëndrojnë në hotele dhe banesa, ndërsa ka dhe prej atyre që janë larguar.

Ndërkohë, nisur nga situata meteorologjike Policia Kufitare ka apeluar pushuesit që mos të dalin në det dhe të mos përdorin mjetet lundruese.

Sipas policisë, aktivitetet në plazh duhet të shmangen, pasi deti ka dallgë me përmasa të mëdha që mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.