Nëse nuk tërhiqesh nga gara që ke fituar për ngrohjen e shkollave të Tiranës do të vrasim ty dhe djalin. Ishte ky mesazh që detyroi Eral Myftaraj të kërkoj mbrojtjen e shtetit, ndërsa Shaqir Alcani biznesmen dhe djali i tij Algert Alcani jurist u arrestuan si persona që me ndihmën e dy të fortëve kërcënuan me jetë Myftarajn,
Paraditen e të hënës policia e shtetit njoftoi se në kuadër të operacionit “tenderi” arrestoi Shaqirin dhe djalin e tij Algertin.
Sëbashku me ta në pranga ra edhe shtetasi Edmond Boçi nga Manatia e Lezhës, ndërsa një i katërt identifikuar si Luis Konomi është shpallur në kërkim.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Shtrënguan me anë të kanosjes, administratorin e një kompanie private, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
FactCheck ka mësuar se tenderi për të cilin ishte kryer kërcënimi me jetë ndaj biznesmenit i përket atij të ngrohjes së shkollave të kryeqytetit, njohur ndryshe si Peleti që përdoret për sobat.
Pikërisht për këtë tender të fituat nga Eral Myftaraj, krimi dhe mafia arriti deri tek kërcënimi me jetë jo vetëm për të por edhe për djalin e tij.
Në dosjen e siguruar nga FactCheck Myftaraj ka denoncuar kërcënimin i cili sipas tij ka nisur fillimisht nga Shaqir Alcani dhe Algert Alcani dhe më pas atë të vrasjes e kanë bërë dy persona të tjerë, Edmond Boçi dhe i shpalluri në kërkim.
Unë kam ndjekur të gjitha procedurat për konkurrimin në këtë prokurim publik dhe jam shpallur fitues. Para se të shpallesha fitues, që kur mora pjesë në këtë prokurim publik më ka kontaktuar shtetasi Shaqir Alcani dhe djali i tij Algert Alcani, të cilët i njoh prej kohësh sepse kanë biznes në të njëjtën fushë. Këta shtetas janë me origjinë nga Librazhdi dhe banues në Tiranë. Shaqiri më ka kontaktuar nga numri 0682061xxx ku me ka telefonuar dhe nga numri 0682589 xxx ne whatsapp, kurse Algerti nga numri 0682074 xxx. Ata më kanë telefonuar tek numri im 0672077 xxx dhe kemi shkëmbyer biseda me mesazhe edhe në whatsapp. Kur aplikova në fillim kam folur dhe jam takuar me këta shtetas dhe më kanë thënë që të tërhiqesha nga ky tender sepse donin ta fitonin ata. Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot por të vazhdonte procedura e rregullt dhe ligjore dhe nëse fituese do shpallej kompania e Shaqirit unë nuk do ankohesha dhe le ta fitonin ata nëse i përmbushnin kushtet ligjore dhe e meritonin.
Më pas, pasi u shpalla fitues dhe konkretisht në datë 06.04.2023 më kontaktoi numri 0693763 xxx i cili më është prezantuar si Edmir Boçi nga Manatia e Lezhës. Nuk e njihja këtë person dhe më tha që donte të më takonte. E kam takuar në një lokal në zonën e Medresesë në Tiranë rreth orës 21:00 dhe ky shtetas ishte së bashku me një shtetas tjetër i cili u prezantua si Louis Konomi nga Burreli dhe as këtë nuk e njihja. Këta persona më thanë që vinin në emër të Shaqirit dhe Algertit dhe më thanë që të tërhiqesha nga prokurimi publik që unë kisha fituar. Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot sepse kisha fituar dhe po ta bëja këtë do kishte penalitete kompania ime, sepse kështu është ligji. Këta dy shtetas po më bënin presion duke më thënë që do kisha problem me ta nëse nuk do tërhiqesha. I thashë që nuk tërhiqem dot dhe kështu u mbyll biseda mes nesh.
Më pas të nesërmen në datë 07.04.2023 rreth orës 22:00 më telefonoi Edmir Boçi dhe më kërkoi të takoheshim sërish. Jemi takuar tek lokal “Destixxx” në rrugën “Don Bosco” Tiranë dhe Edmiri ishte i vetëm. Ai erdhi me një makinë Benz G-Class i hirtë ABxxxIR. Jemi ulur aty në lokal dhe vazhdoi me të njëjtën bisedë ku më kërkonte të tërhiqesha nga tenderi. Unë sërish i thashë të njëjtën gjë që nuk tërhiqesha dot sepse do kisha penalitete financiare dhe juridike të firmës. Pasi qëndruam gati 10 minuta, Edmiri u çua dhe iku, pikërisht pasi Edmiri është çuar nga tavolina ku po bisedonim mua më ka telefonuar numri 0683003 xxx i cili mu prezantua me pseudonimin Çupja dhe më pas mora vesh që quhej Louis Konomi nga Burreli. Ky person më tha tekstualisht “Me këtë që bëre që nuk u tërhoqe nga tenderi unë do të të vras djalin”. Pas këtij episodi kam komunikuar me Algertin dhe i thashë që do mbante përgjegjësi për këto kërcënime dhe njerëzit që më kishte futur dhe Algerti më tha që sa te ishte ai gjallë nuk lejonte që unë të tallesha me babain e tij. Këtë bisedë e bëmë në whatsapp dhe unë i kam bërë screenshot bisedave dhe jua vë në dispozicion”.
Kërcënimi i Biznesmenti Myftaraj ka ndodhur pak ditë pasi ai është njoftuar zyrtarisht nga Bashkia Tiranë më 31 Mars 2023, se është shpallur fitues i tenderit me objekt “Blerje lëndë djegëse pelet për ngrohje dhe shpërndarje në objektet arsimore”.
Myftaraj i kërcënuar me jetë në këtë procedurë publike të tenderimit rezulton se ka patur ofertën më të ulët nga dy kompanitë e tjera në garë, atë të biznesmenit Shaqir Alcani me kompaninë ALCANI sh.p.k me NIPT J91505006Q me ofertë ekonomike 96 001 754.2 (nëntëdhjetë e gjashtë milion e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër pikë dy) Lekë pa Tvsh.
Si dhe të Firmës REDI PELLET sh.p.k me NIPT L54202003S me ofertë ekonomike 96 321 050.5 (nëntëdhjetë e gjashtë milion e treqind e njëzet e një mijë e pesëdhjetë pikë pesë) Lekë pa Tvsh.



