
Protesta po hyn në ditën e 19-të radhazi, përmes “Revolucionit tw Flamingove”, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve të zhvillimit në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, ka zgjeruar me kalimin e ditëve kërkesat e saj edhe ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Të ftuar në studion e “MCN Informacion”, aktivistët Luçiana Kokaj dhe Gjergji Caca deklaruan se protestat kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të Parlamentit Europian, por edhe të shumë qytetarëve që synojnë rikthimin e shpresës në vend.
Luçiana Kokaj:
Kërkesa kryesore është dorëheqja e qeverisë dhe largimi i kësaj klase politike. Njerëzit janë të lodhur nga një sistem që, sipas tyre, i ka marrë peng.
Vendimi i djeshëm i Parlamentit Europian është një fitore e vogël për ne, sepse Zverneci dhe Rrjolli janë në qendër të shqetësimeve tona dhe ka ende shpresë që këto zona të mbrohen.
Besoj se do të arrijmë fitore, por njerëzit që janë në protestë tashmë kanë kaluar përtej çështjes së Zvernecit dhe Rrjollit.
Emëruesi i përbashkët është largimi i kësaj klase politike. Deri në momentin kur kjo kërkesë të realizohet, protesta do të vazhdojë.
Po vijnë edhe shqiptarë nga diaspora, veçanërisht nga Anglia. Ne po u japim shpresë edhe atyre që janë larguar dhe jetojnë mes dy botësh.
Jam proceduar penalisht dy herë dhe kjo nuk më bën përshtypje. Edhe policët që më kanë ndaluar dhe marrë në pyetje janë njësoj si ne, pjesë e këtij realiteti. Besoj se protesta jonë është edhe për ta. Asgjë nuk më intimidon.”
Gjergji Caca:
Lufta në shesh bëhet për dinjitet. Si Luçiana ka shumë të tjerë. Nëse flasim për qindra mijëra qytetarë që e mbështesin këtë lëvizje, atëherë nuk mund të procedohen të gjithë.
Lufta nuk bëhet vetëm për Rrjollin apo për një kauzë të vetme. Bëhet për dinjitetin njerëzor.
Për 35 vite kemi vuajtur apatinë dhe mendësinë se problemi nuk është te dera jonë.
Pas kaq vitesh duhet të kuptojmë se kjo protestë përfaqëson një nivel të lartë ndërgjegjësimi emocional, kulturor dhe qytetar.
Në këtë protestë luftohet për dinjitetin dhe për të drejtat bazike.
Ne duam që ky vend të bëhet dhe për këtë nevojitet sakrificë. Prandaj duhet të protestojnë të gjithë.
Të arrish një nivel të tillë proteste është diçka e rrallë. Për 18 ditë me radhë, pa një organizim të centralizuar, qytetarët kanë vazhduar të jenë në shesh.
Kjo është edhe bukuria e saj: është spontane dhe jo e koordinuar politikisht.
Protestuesit po sakrifikojnë nga vetja që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë.



