Detaje të reja dalin në lidhje me mënyrën sesi është arrestuar një prej grabitësve të parave të bankës një javë më parë në rrugën e Rinasit. Ish-komandoja Neim Avdulaj është vënë në pranga në momentin që ka dalë nga një kazino e qytetit të Vlorës në bulevardin Vlorë-Skelë teksa shoqërohej edhe nga dy miqtë e tij.
Strukturat operacionale së bashku me policinë e Vlorës kanë pritur që Avdulaj të dilte nga kazinoja dhe më pas ta arrestonin për ta shoqëruar në drejtim të Tiranës me kapuç në kokë.
Sipas punonjësit të kazinosë, Avdulaj ka qenë duke luajtur me shpinë nga dera hyrëse dhe ajo e mbrëmshmja ka qënë me fat për të, pasi ka fituar një shumë prej 600 mijë lekësh, bën të ditur BW.
Siç bëri me dije edhe policia një pjesë të parave që kishte marrë nga grabitja Avdulaj i kishte fshehur pranë një banese në Vlorë në një tenxhere presioni e më pas i kishte groposur.



