
IGJEUM, ose instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit thotë se edhe nesër priten reshje intensive të shiut. Kjo do të bëjë që të ketë rritje të niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa.
Sipas IGJEUM nëse do të ketë rrezik për përmbytje apo situata të tjera të kësaj natyre do lajmërohet.
"Si pasojë e reshjeve intensive, pritet rritje e prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin dhe Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve më të vegjël. Në Liqenin e Shkodrës dhe pjesët e poshtme të lumenjve Buna dhe Vjosa mund të shfaqen përmbytje lumore të lokalizuara. Lumenjtë e tjerë në gjithë territorin pritet të kenë prurje të larta. Reshjet intensive do të shoqërohen edhe me rrëshqitje të dherave në disa pjesë të territorit. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike si dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve,"- thuhet në njoftimin e IGJEUM.



