
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas sulmit izraelit mbi spitalin Nasser në Khan Younis, ku u vranë 20 persona, mes tyre pesë gazetarë dhe disa mjekë.
Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë shpërthimin që goditi ekipet e shpëtimit dhe reporterët që po mbulonin një sulm të mëparshëm në të njëjtën zonë.
“Nuk jam i lumtur për këtë. Nuk dua ta shoh. Por duhet t’i japim fund këtij makthi”, tha Trump nga Zyra Ovale.
Mes viktimave ishin gazetarë që punonin për Associated Press, Al Jazeera dhe Reuters.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti sulmin “një tragjedi fatkeqe”, ndërsa ushtria izraelite pranoi goditjen, duke deklaruar se incidenti do të hetohet.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, që prej nisjes së luftës janë vrarë 192 gazetarë në Gaza, ndërsa OKB raporton mbi 1,500 punonjës shëndetësorë të vrarë.
Kujtojmë se konflikti shpërtheu më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku u vranë mbi 1,200 persona. Që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, numri i viktimave në Gaza ka kaluar 61,000.



