
Infeksionet e traktit urinar shkaktojnë inflamacion në mukozën e traktit, duke sjellë shpesh probleme të shumta shëndetësore.
Nefrologia Marsida Duli, e ftuar në programin e mëngjesit "Zgjohu me MCN", theksoi se periudha e verës shoqërohet me një rritje të riskut për infeksione urinare.
Ajo sqaroi se pishinat, sidomos ato që nuk janë të higjienizuara siç duhet, janë një nga faktorët më të rrezikshëm për këtë problem.
Vera është periudha kur infeksionet urinare lulëzojnë, për shkak të disa faktorëve, si dëshira për të shkuar në plazh, ekspozimi ndaj diellit, rritja e konsumit të alkoolit, si dhe qëndrimi në pishina me kushte higjienike të dobëta.
Kësaj i shtohet fakti se pishinat johigjenike janë një rrezik i madh, pasi ato mund të bëhen burime të infeksioneve urinare.
Gratë janë më të prekurat nga infeksionet urinare, për shkak të fiziologjisë së tyre.
Në raste të pishinave me ujë të kontaminuar, është shumë e rëndësishme që të gjithë frekuentuesit të ruajnë pastërtinë e trupit, për të shmangur infeksionet e mundshme.
Nefrologia Duli sugjeroi disa masa për të minimizuar rrezikun:
Para dhe pas hyrjes në pishinë, është e rëndësishme që të bëni dush për të larguar mikrobet dhe papastërtitë që mund të ndodhin në kontakt me ujin.
Përdorimi i rrobave të lagura për periudha të gjata mund të krijojë kushte të përshtatshme për rritjen e mikrobeve. Ndërkohë, pas pishinës, do të ishte e dobishme të ndërroni rrobat e banjos sa më shpejt.
Prindërit duhet të kujdesen që fëmijët të lahen pas përdorimit të pishinës, pasi disa baktere që mund të gjenden në zorrën e trashë mund të shkaktojnë infeksione të traktit urinar.
Duli theksoi se një nga masat më të rëndësishme për të parandaluar infeksionet urinare është konsumimi i sasisë së mjaftueshme të ujit, për të shtuar sasinë e urinimit dhe për të pastruar fshikëzën e urinës.
Rekomandohet që të urinohet sa më shpesh gjatë ditës pasi të pimë sasi të ujit dhe, veçanërisht, pas vizitës në pishinë, për të ndihmuar në largimin e mikroorganizmave nga trakti urinar.
Për të shmangur infeksionet urinare gjatë verës, është e rëndësishme të kujdesemi për higjienën personale, të shmangim pishinat me kushte higjienike të dobëta dhe të ruajmë një nivel të lartë të konsumit të ujit.
Kujdesi dhe masa parandaluese mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të traktit urinar.



