Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi edhe në deklaratat e tij të mëparshme ai nuk kishte lënë vend për dyshime. Për të thënë këtë vendim presidenti i SHBA Donald Trump, nuk zgjodhi rrjetin social Twitter, por doli në një konfren për shtyp nga Shtëpia e Bardhë duke thënë se mori vendimin për tu tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka quajtur atë “një marrëveshje të kalbur”, dhe sipas tij, “një turp për mua edhe si qytetar amerikan”. Trump shtoi se SHBA-të do të rivendosin ndaj Iranit sanksionet ekonomike që ishin në fuqi para se të nënshkruhej marrëveshja në vitin 2015.
"Po lajmëroj tani se SHBA do të tërhiqen nga marrëveshje e Iranit për armët bërthamore. Pas pak unë do të firmos një memorandum presidencial për të filluar sanksionet e SHBA ndaj regjimnit iranian. Ne do të ngremë nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike. Çdo komb që do të ndihmojë Iranin në lidhje me këtë marrëveshje për të vazhduar ata armët e tyre bërthamore, SHBA nuk do të mbeten peng i çdo kërcënimi që mund të marrë. Ne nuk do të kërcënohemi me shkatërrim. Veprimet e sotme e dërgojnë një mesazh kritik, SHBA nuk bëjnë më kërcënime boshe. Kur unë bëj premtime i mbaj", tha Trump.
Presidenti amerikan tha se sanksionet do të kenë efekt të menjëhershëm ndërsa regjimi iranian do të ketë probleme që nuk i ka pasur asnjëherë më parë. Por Trump u kujdes të ndajë popullin e Iranit nga qeverisja e Iranit, duke thënë se "Populli amerikan qëndroi me ju për afro 40 vite gjatë kësaj diktature, por liderët e Iranit refuzojnë të negociojnë. Ne do ti japim një marrëveshje të fundit kur ata të mendojnë për popullin e Iranit atëherë unë do të jem aty sepse gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme mund të ndodhin për Iranin dhe gjëra të tilla ndodhin me paqe dhe stabilitet për Iranin dhe Lindjen e Mesme".
BBC thotë se ky vendim u mor kundër këshillave të aleatëve europianë dhe të disa këshilltarëve ushtarakë.
Por i vetmi që ka raguar është kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili thotë se ai "mbështet plotësisht" vendimin e tij dhe e quan atë një tërheqje të guximshme.



