
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë se Aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë. E gjithë kjo pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës me 24 shtator, kur nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.
Lidhur me këto, politologu Argjend Zejnaj në një lidhje skype me MCN Live u shpreh se situata është e qetë por e brishtë. Ai tha se deklaratat e Vuçiç duhet të merren me qetësi, janë vetëm deklarata dhe kërcënime boshe ndërsa theksoi se grupet e Radoçiç janë riorganizuar. Sipas tij, aktualisht situata në veri paraqitet e sigurtë.
Po t’ju referohemi deklaratave zyrtare të institucioneve mund të kalkulojmë me shprehjen që është situatë e qetë, por e brishtë. Në analiza më të thella koha e zgjedhjeve në Serbi presioni për veriun e Kosovës për mundësinë e eskalimit ku kemi parasysh grupe të Radoçiç, por vizita e Stoltenberg mund të konkludojmë se i ka sjellë Kosovës një siguri shtesë se NATO nuk do tolerojë të kemi një përplasje dhe se duhet të kujdeset policia dhe çdo institucion tjetër që është në krye të detyrës për të mbrojtur kufirin me Serbinë.
I pyetur nëse ka njëlloj rreziku real apo strategji, ndërhyrje të mundshme, Zejnaj tha se Serbia është në kohë zgjedhjesh dhe Vuçiç i duhet një alibi e fortë dhe në kohë zgjedhje ka qenë Kosova.
Alibi më të fortë se Kosova nuk kanë pasur asnjëherë se Kosova është e tyre etj etj. Grupet e Radoçiç janë prezentë në pjesën e Serbisë, janë duke u rekrutuar dhe deklaratat zyrtare të Vuçiç se Kosovën s’do e njohin asnjëherë si shtet duhen marrë me qetësi. Nëse Vuçic lëshon ushtrinë e vetë në veri të Kosovës atëherë i bie të dalë përballë me Naton gjë që nuk ja këshillon askush. Grupet e Radocic janë, por nuk besoj se do ketë një sulm si ai i 24 shtatorit.
Më tej ai shtoi se Rusia ka interes që situata në Ballkan të jetë e tensionuar dhe se 24 shtatori ka qenë një paralajmërim se mund të ndodhë dicka më shumë.
Rusia është e interesuar me e shpërbërë mbikëqyrjen e Natos në drejtim të Ukrainës, me ja shpërnda forcën Natos, dhe kjo e 24 shtatorit ka qenë indicie dhe paralajmërim se mund të ndodhë diçka më shumë dhe Rusia ka interes që Ballkanin ta mbajë në situatë të tensionuar. Dhe konform kësaj dhe NATO i ka informatat për shërbimin sekret rus në kufi me Kosovën dhe në sulmin e 24 shtatorit dhe të gjitha këto janë të financuara me sinjalet e Rusisë që përmes Serbisë të destabilizojë Ballkanin dhe ti hapë një tjetër vatër zjarri NATOs dhe të fitojë kohë dhe terren në luftën e saj me Ukrainën.
Politologu duke komentuar dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona, u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në një unitet.
Në këtë kohë ne na duhet një unitet mbarëkombëtar për të ruajtur vijën kufitare Shqipëri Serbi, se Kosova është kufiri i parë mes shqiptarëve dhe serbëve. Kosova do duhej ti drejtohej Shqipërisë që ta ndihmonte në të gjitha aspektet sepse Shqipëria ka përvojën dhe infrastrukturën shumë më herët dhe duhet pasur informacion i sinqertë dhe duhen shkëmbyer informacione diplomacie mes dy vendeve kjo për të mirën e sigurisë së Ballkanit dhe veçanërisht për të mirën e Kosovës.



