Drejtori i Qendrës për të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, Altin Hazizaj foli përmes një lidhjeje skype në MCN TV për mbrojtjen e të vegjëlve nga rrëmbyesit, pas njoftimit se Shqipëria është gati të shpallë sinjalin “Amber” për fëmijët e zhdukur. Hazizaj theksoi se bëhet fjalë për një rrjet informacioni që koordinohet për gjetjen e fëmijëve, ku përfshihen disa partnerë, Policia e Shtetit, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe industria e komunikimit. Ai shtoi se Shqipëria u bashkohet 20 vendeve europiane dhe SHBA-ve që e përdorin këtë sinjal.
Sinjali ‘Amber’ është një sinjal alarmi që Policia e Shtetit lëshon sa herë që një fëmijë që humbet, rrezikohet që nga shfrytëzimi seksual, apo vrasja e fëmijëve, apo kalimi i paligjshëm i kufirit. Bëhet fjalë për fëmijë që kanë humbur dhe s’janë nën kontrollin prindëror apo të institucioneve. Sinjali ‘Amber’ funksionon përmes bashkëpunimit të Policisë e para me median, e dyta me organizatat e shoqërisë civile të specializuara dhe industrinë e komunikimit. Ajo që shpresojmë të ndodhë është që të marrim SMS në celularët tanë ku njoftohemi për rastet emergjente të humbjes së fëmijëve. Qëllimi i shpërndarjes së mesazheve është që komunitet, shoqëria, institucionet, bëhen të gatshme, alertohen për të kërkuar këto fëmijë.
Sinjali ‘Amber’ duke filluar nga SHBA-të ku është ndërtuar për herë të parë në 1996, dhe në 20 vende europiane ku ky sistem funksionon, është një sistem alarmi i thjeshtë. Policia e Shtetit do të ketë marrëveshje të posaçme. Po diskutohet edhe me Facebook-un psh, që në rrjetet sociale, në celularët tanë dhe në faqen zyrtare të policisë të lëshohen sinjalet ‘Amber’. Lëshimi i sinjalit ‘Amber’ do të thotë që të gjithë ata që janë partnerë të Policisë së Shtetit, automatikisht u krijohet e drejta të bëjnë njoftimin e tyre. Një rrjet informacioni, që koordinohet për gjetjen e fëmijës.
Hazizaj bëri me dije se në Shqipëri janë 100-120 fëmijë të humbur në vit. Hazizaj shtoi se problematik është fakti që fëmijët dhe adoleshentët e larguar drejt BE-së dhe Britanisë së Madhe nuk deklarohen si të humbur nga familjet.
Situata në Shqipëri paraqitet shumë herë më ndryshe se shumë vende të Europës dhe botës. Shifrat e fëmijëve të humbur janë tejet modeste, por Shqipëria ka një nivel të lartë të largimit të fëmijëve dhe adoleshentëve të pashoqëruar drejt BE-së dhe Britaninë e Madhe. Adoleshentë të tillë, fëmijë të tillë, janë të rrezikuar nga dhuna seksuale, shfrytëzimi seksual, shitja, përdorimi për vjedhjen e organeve, apo më keq akoma, përfundojnë në rrjetet e krimit të organizuar, apo më keq akoma humbasin jetën. Në Shqipëri janë 100-120 fëmijë në vit që humbasin dhe thuajse të gjithë fëmijët gjenden. Po të shohim databazën që ka Shqipëria, janë afërsisht 60 fëmijë që janë deklaruar të humbur që në 1990-ën dhe janë të pagjetur akoma. Në 3-5 vitet e fundit, vetëm një rast i një fëmije që humbi dhe u gjet i vrarë, të gjithë të tjerët janë gjetur. Pjesë e 120 fëmijëve, janë edhe fëmijët që kanë shkak për t’u larguar nga familja, pasi i kanë të padenja. Nuk janë të gjithë të humbur, por janë pjesë e copëzave të vogla të historive njerëzore të fëmijëve në Shqipëri. Është problematike sepse familjet nuk i deklarojnë fëmijët e larguar drejt BE dhe Britanisë si të humbur. Po t’i deklaronin numri do ishte më i madh”.
Hazizaj ngriti shqetësimin se kontrabandimi i fëmijëve në territorin shqiptar bëhet edhe nga të huaj.
Policia e Kukësit ka pasur një incident me armë me persona nga Siria që kontrabandojnë fëmijët. I kemi paralajmëruar autoritetet shqiptare, që elementi i shfrytëzimit dhe trafikimit të fëmijëve, është edhe te elementë që flasin gjuhë të huaj, sirianë, turq, grekë, përfshirë ata shqiptarë. Autoritetet shqiptare duhen të jenë të informuara se elementët kriminalë që veprojnë në trafikimin e fëmijëve s’janë vetëm shqiptarë”.
I pyetur a ka vendi ynë kapacitete dhe profesionistë për të gjurmuar dhe gjetur fëmijët e rrëmbyer, Hazizaj tha:
Është hera e parë që punoj kaq afër me Policinë e Shtetit. Jam i lumtur dhe dua ta pranoj që bëhet fjalë për profesionistë të mirëfilltë, në një fushë delikate si humbja e fëmijëve, që është një çështje e re në Shqipëri. Po organizojmë trajnim me ekspertë nga më të mirët ndërkombëtar që do vijnë në Shqipëri në mes të qershorit për të trajnuar policinë shqiptare dhe profesionistë të tjerë. Policia punon si për të përmirësuar protokollet, ashtu edhe procedurat, standardet. E ndjej veten krenarë, të lumtur, dhe dua t’u jem mirënjohës të gjithë punonjësve të policisë”.



