
Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e 13 pasurive të paluajtshme dhe 5 llogarive bankare në pronësi të noteres Sanja Telhallari, me një vlerë të përllogaritur rreth 200 mijë euro.
Dyshohet se këto pasuri janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i bashkëshortit të saj, Klodian Porja, i dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se në ditët e sotme është shumë e lehtë për autoritetet të zbulojnë raste të pasurive të pajustifikuara.
Mjafton një analizë financiare bazë: sa ka fituar një individ dhe sa ka shpenzuar.
Nëse diferenca është e madhe dhe nuk justifikohet, hetimi duhet të nisë menjëherë.
Një notere e re në moshë dhe me pak vite përvojë nuk mund të ketë akumuluar një pasuri të tillë në mënyrë të ligjshme, sipas tij.
Interesat hetimore nuk duhet të ndalen vetëm tek individi në fjalë, por edhe tek ata që mund të kenë qenë bashkëpunëtorë, përfitues apo mbështetës të pasurimit të paligjshëm.
Hetimi duhet të shkojë më thellë për të zbuluar kush qëndron realisht pas këtyre pasurive dhe aktiviteteve – jo vetëm emrat në letra.
Në një deklaratë të fortë, Cakrani hodhi dyshime mbi disa individë të tjerë në profesionet e drejtësisë, duke përmendur edhe avokate që, sipas tij, kanë kryer veprime të papërshtatshme në mjediset e burgjeve, në këmbim të parave.
Kam informacione që disa avokate përfshihen në marrëdhënie të dyshimta brenda burgjeve, duke shkëmbyer informacione për pagesa dhe favore të tjera, si orgji seksuale.



