
Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8”. Gjatë dy javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre: -135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor; -9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit. Policia njofton se në fundjavë, në çdo aks ka radarë.



