
Kryetarja e Këshillit Bashkiak Vlorë Elpiniqi Mërkuri ka reaguar pas raportimeve në media se nesër do të jepet leja për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Kaninës.
Mërkuri pranon se prej 16 muajsh bashkia ka marrë kërkesa për truall me sipërfaqe 831 hektarë dhe së fundmi kërkesa i është përcjellë Këshillit Bashkiak.
Megjithatë ajo vë në dukje se Këshilli Bashkiak s’mund të marrë vendim në lidhje me kërkesën pasi bashkia nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.
Në reagimin e Mërkurit ndër të tjera thuhet:
“Është e vërtetë që prej 16 muajsh Bashkia Vlorë ka marrë disa kërkesa për një truall me sipërfaqe 831.7 ha, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik. Kërkesat janë depozituar përkatësisht në këto data:
1. 29.04.2024
2. 20.05.2024
3. 23.05.2024
Së fundmi, kërkesa është miratuar për t’iu përcjellë Këshillit Bashkiak.
Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.
Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë.
Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse”.



