Albi Xhunga, gazetar shqiptar në Bruksel, tha përmes një lidhjeje me skype për edicionin e lajmeve në MCN TV se Rama po përgatit një puç elektoral me votat e diasporës.
Sipas tij Rama po vazhdon patronazhimin jashtë kufijve, ku SPAK nuk mundet të veprojë.
“Kjo është një qasje pragmatike e kryeministrit, duhet të gjejë një fabul për të kërkuar votën e emigrantëve. Por kryeministri harron se ai është një ndër shkaktarët kryesor të emigrimit të këtyre emigrantëve, sepse kemi pastur një emigrim në përmasat e një eksodi, dhe këtu kryeministri ka një përgjegjësi të dorës së parë. Rama është dobësuar politikisht brenda kufijve të Shqipërisë, sepse shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar, sepse grupe të ndryshme kriminale që prodhonin vota për mazhorancën aktuale janë goditur nga SPAK. Unë besoj se kryeministri shqiptar po përgatit një puç elektoral jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, ku Task Forca anti-korrupsion që do ngrihet nga SPAK s’ka juridiksion të veprojë. Ka zëra që thonë që po u kërkohet administratës të sjellin vota nga jashtë kufijve, dhe unë besoj patronazhimi do vazhdojë jashtë kufijve, aty ku SPAK nuk ka juridiksion të veprojë. Do të jetë një puç elektoral që do t’i japë vota kryeministrit”.
Sipas Albi Xhungës, në rezolutën e PPE nuk flitet fare për të burgosur politik në Shqipëri, dhe sipas tij më tepër është një goditje se sa një favor ndaj PD-së.
Ai tha që në Europë është parë si një zgjidhje marrëveshja Rama-Meloni për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Gjadër të Lezhës.



