Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur mesditën e sotme në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohet kërkesën e bërë nga ana e tij për shpalljen të pavlefshëm të emërimit prokuror të Olsi Dados.
Ai është shoqëruar nga policia me pranga në duar, ndërkohë që përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca.
Padia është ngritur ndaj institucionit të Presidentit dhe vetë prokurorit Dado, duke synuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit nr. 5936, datë 17 nëntor 2008, të firmosur nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi.
Sipas kërkesëpadisë, emërimi i Dados është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret e detyrueshme ligjore për ushtrimin e funksionit të prokurorit, përfshirë mungesën e përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.
Veliaj argumenton se akti i emërimit është “nul”, pra juridikisht i pavlefshëm që nga fillimi, duke bërë që të gjitha veprimet e ndërmarra nga prokurori, përfshirë edhe ato ndaj tij, të jenë të cenueshme nga pavlefshmëria.
Në padi theksohet se masat e sigurisë ndaj kryebashkiakut, si dhe kufizimi i ushtrimit të mandatit të tij, janë bazuar mbi një akt që konsiderohet i inekzistent juridikisht, çka sipas mbrojtjes sjell pasoja të rënda për institucionet dhe rendin kushtetues në vend.
Çështja ka marrë një dimension më të gjerë për shkak të përplasjes së fortë mes Veliajt dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado, i cili firmosi urdhër-arrestin ndaj tij në shkurt të vitit të kaluar. Prej 10 shkurtit, Veliaj ndodhet në paraburgim.
Gjykata pritet të shprehet mbi një çështje që, sipas palës paditëse, tejkalon interesin individual dhe prek drejtpërdrejt standardet kushtetuese të ushtrimit të pushtetit të akuzës në Shqipëri.



