Ish-prokurori Gentjan Trenova duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që mungesa e denoncimeve nga institucionet, s'e ka penguar punën hetimore të SPAK-ut.
Ish-Prokurori thotë që SPAK nuk nis hetime kryesisht, ndonëse përmenden për korrupsion emra të rëndësishëm të qeverisë.
Sipas tij mosveprimi i institucioneve qeveritare për të referuar çështje penale mund të lidhet me nivelin e lartë të korrupsionit dhe mungesën e interesit për ta denoncuar.
Trenova tha që ligji i “bilbilfryrësve” s’ka funksionuar asnjëherë, pasi ky ligj u ngrit për propagandë.
Ai thekson se fakti që s’ka hetime apo referime të brendshme, duket qartazi që ka një vullnet për të mos hetuar vetveten nga qeveria.
Dumani tha se institucionet si Tatimet apo Doganat ishin në nivelet zero sa i përket kallëzimeve. Pyetjes sa i rëndësishëm është një bashkëpunim i tillë, Trenova iu përgjigj:
Bashkëpunimi me institucionet e tjera është mjaft i rëndësishëm për hetimet penale, janë Doganat, Drejtoria kundër Pastrimit të Parave, drejtori Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik. Puna e tyre është shumë e rëndësishme në furnizimin e Prokurorisë. Megjithatë mendoj se kjo nuk e ka penguar shumë Prokurorinë për të bërë hetime. Nuk ka qenë problemi kryesor mos referimi i Prokurorisë me çështje. Ky është problem, por nuk çalon këtu. SPAK-u ka edhe BKH-në, nuk ka përse të presë nga institucione të tjera për të referuar çështje të caktuara. Referimi nga institucionet është sa përgjegjësi ligjore, aq edhe për publikun nga ana e qeverisë. Nëse qeveria s’është e interesuar që të luftojë korrupsionin kjo reflektohet te mos veprimi i institucioneve të saj. Ose aty s’ka korrupsion, ose korrupsioni është në nivele aq të larta sa që vet institucionet shtetërore s’janë të interesuara për ta denoncuar këtë gjë”.
I ndalur te ligji për “sinjalizuesit”, Trenova tha:
Ky ligj s’ka funksionuar asnjëherë, sepse ishte më tepër për propagandë se sa për të bërë punë. Nëse ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ekzistojnë mekanizmat për të evidentuar rastet e titullarëve, dhe për t’i çuar në Prokurori. Ka grupe auditi të brendshme që bëjnë kontrolle të brendshme. Edhe Ministria e Brendshme ka disa drejtori që merren me krimin ekonomik, krime të tjera kundër personit. Te krimi ekonomik hetohen raste te kontrabandës, korrupsionit, pastrimit të parave edhe MF ka drejtoritë e saj. Fakti që s’ka hetime apo referime të brendshme, duket qartazi që ka një vullnet për të mos hetuar vetveten qeveria. Denoncimet më të mëdha vijnë nga qytetarët, partitë politike dhe deputetët, nga ndonjë shoqatë apo lëvizje e caktuar qytetare. SPAK-u ka të drejtë të nis edhe vet kryesisht hetime. Nuk mund të bësh hetim nga zyra, por duhet dalë nga zyra. Nëse një rrugë s’është bërë ashtu siç duhet, s’ka asnjë problem që prokurori të shkojë te kjo rrugë, ta shohë edhe vet, të marrë edhe ekspertët me vete. Të mos presin nga zyra gjëra që i sjellin të gatshme sepse për këtë arsye u krijua reforma në drejtësi dhe SPAK-u. Me një informacion në media kanë nisur çështjet kryesisht, mund të përmendim rastin ‘Tahiri’. Sot sado që përmenden politikanë, drejtues të qeverisë që janë përfshirë në aktivitete kriminale qoftë edhe në mediat e huaja, nuk di që nga ana e Prokurorisë që çështja të ketë filluar kryesisht”.
Ish-prokurori shtoi se gjyqësori shpesh është kthyer në notere të Prokurorisë dhe në disa raste ka marrë rolin e eprorit ndaj organit të akuzës.
Unë kam mendimin që gjyqësori ka shumë pak raste që ka deklaruar pafajësi. Gjykata mbi 90 për qind të rasteve është bërë notere e Prokurorisë. Nuk ka qenë palë e paanshme midis Prokurorisë dhe qytetarit, kjo s’e ka bërë një gjykatë të paanshme, duke cenuar rëndë të drejtat e njeriut, ku shpesh janë dënuar njerëz pa prova të drejta, për të plotësuar statistikat e gjykatës për të bërë raportime te institucionet e tjera apo ndërkombëtarët. Rreziku i kërcënimit të prokurorëve ka ekzistuar gjithmonë. Nuk përjashtohet mundësia të ketë presione, kjo është pjesë e punës së tyre të përditshme. Vendimi i Gjykatës së Lartë për t’ia kaluar SPAK-ut “21 janarin” është në tejkalim të ligjit, Kodit të Procedurës Penale. Nuk mundet që gjykata të përcaktojë kompetencat e një çështje që s’ka hetim dhe një emër të regjistruar. Në këtë rast gjykata është bërë epror i Prokurorisë. Ka kaluar në rolin e drejtuesit të një prokurorie”.



