Dorëheqja e kreut të burgjeve ka nxitur diskutime mbi prapaskenat e këtij vendimi dhe sfidat e menaxhimit të një prej sistemeve më delikate në vend. Gazetari Sokol Bregu dhe deputeti Saimir Korreshi kanë analizuar arsyet e këtij largimi, duke u ndalur te tenderat miliona eurosh, korrupsioni dhe përplasjet e brendshme politike.
Sipas Bregut, sistemi i burgjeve mbetet një nga sektorët më të vështirë për t'u drejtuar në Shqipëri, kryesisht për shkak të volumit të madh të tenderave publike që qarkullojnë në të. Ai hodhi dyshime se largimi i kreut të burgjeve mund të ketë ardhur si pasojë e një konflikti direkt me ministrin e Drejtësisë ose me kryeministrin.
Njeriu që po mendohet është njeriu që ka punuar më afër me Xhafën, por kjo historia e Belës është bërë e tillë që edhe kur vendoset një roje shkolle, thonë e vendosi Bela. Bode është kandidatura që kam përshtypjen që Rama do të vendosë. Një grua pas skandaleve, sepse nga vetë natyra gratë nuk janë aq të korruptuara sa burrat. Sa i përket largimit të kreut, ai u sulmua që në fillimet e tij ashpër nga mediat. Dukej që klane brenda biznesit, krimit të organizuar dhe politikës kishin ngritur një kurth ndaj tij.
Arsyet nuk i di, por ka pasur një dëshirë të madhe në media për ta sulmuar atë. Burgjet janë sistemi më i korruptuar në vend, vazhdojnë të kenë probleme të rënda dhe pse nuk na ndodh si Greqia fqinje arratisja. Kjo ndodh për shkak të një sistemi që kemi ndërtuar me tre zona sigurie, ku është e pamundur largimi pa një bashkëpunim të ngushtë me policin e fundit që qëndron te dera. Burgjet janë gjëja më e vështirë për t'u drejtuar në Shqipëri, sepse nuk duhet harruar që tenderat në burgje janë llokma më e madhe në shtet. Shteti blen ushqim vetëm për burgjet, pasi e ka hequr nga ushtria dhe konviktet.
Ne kemi afërsisht 5 mijë e ca të burgosur dhe paraburgosur. Ta mendosh që do të shesësh përditë 5200 dreka e darka, apo 5200 çarçafë që do të lahen. Po ta heqim pjesën kriminale dhe të merremi me atë që janë tenderat, ata janë me miliona euro dhe kanë qenë gjithmonë në hetim. Nga ajo që lexova, besoj se ai ose ka pasur një konflikt me ministrin e Drejtësisë, ose me kryeministrin e vendit.
Nga ana tjetër, deputeti Saimir Korreshi u shpreh se kjo lëvizje tregon përplasjet e brendshme brenda Partisë Socialiste dhe luftën për kontrollin e këtij institucioni me rëndësi të madhe financiare.
Di që Drejtoria e Burgjeve është një nga vendet më të rëndësishme që merr shumë lekë; kalimi nga një burg në tjetrin merr shumë lekë. S'dua t'i hyj në hak asnjërit, por ajo që ndodh me hyrjet dhe daljet e personave VIP... a është për faj të drejtorit të përgjithshëm kjo apo për dikë tjetër? Këto janë probleme të mbartura, ka shkuar koha kështu dhe kështu do të jetë e gjitha. Lufta për pushtet dhe përplasjet brenda PS-së herë pas here i marrin dikujt pushtetin dhe ia japin dikujt tjetër.
Ai ka shumë momente të regjistruara, mund të ketë filmime pa fund të njerëzve të pushtetshëm që hyjnë e takojnë njerëz të pushtetshëm në burgje, apo me femra të pushtetshme që hyjnë aty, apo për arkat me peshq. Por puna është se ky sistem nuk varet nga drejtori, por shumë më lart, nga Rama e më poshtë. Për çdo gjë që ndodh këtu, është pushteti që lëviz fijet. Ai ikën brenda ditës, bën një status dhe çfarë pastaj, do të qajmë për atë status? Jo, janë shumë sektorë ku realisht në atë sistem ka ndërhyrje të madhe politike. Sistemi penitenciar nuk varet vetëm nga drejtori.



