
Një konflikt banal për një kafe përfundon në tragjedi me dy të rinj të vrarë me armë zjarri në zonën e Manzës, në një ngjarje që tronditi qytetin e Durrësit
Sipas raportimit të korrespondentes së “MCN Live”, nga Durrësi, Ervina Garo, ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 pranë një karburanti, pas një debati të nisur për shkak të një porosie kafeje.
Garo bën të ditur se të dy autorët e përfshirë në ngjarje kishin precedentë të mëparshëm kriminal.
33-vjeçari Flori Paluçi ka qëlluar për vdekje me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti, ndërsa më pas, një tjetër i ri, 21-vjeçari Daniel Pepa, ka qëlluar dhe ka vrarë vetë Paluçin. Pepa është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ka nisur fillimisht si një debat banal në një lokal. Sipas burimeve paraprake Daniel Pepa kishte kërkuar që t’i përgatitej një kafe, por kamerieri e kishte refuzuar, duke sqaruar se ekspresi ishte i fikur për shkak të orës së vonë. Më pas Pepa ka reaguar me fjalë fyese në drejtim të kamerierit teksa Flori Paluçi, i ulur në tavolinë me kamarierin, ka ndërhyrë duke i kërkuar Pepës të mos e ofendonte.
Nga debati verbal, situata ka përshkallëzuar shpejt. Paluçi ka qëlluar i pari me armë, duke vrarë Aranit Kurtin, që sipas dëshmive kishte ndërhyrë për të ndarë sherrin.
Më pas, Daniel Pepa ka shkuar në makinë, ka marrë armën dhe ka qëlluar për vdekje Florin Paluçin.
Duhet theksuar e tërë ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit policor në Mamzë.
Të dy autorët e përfshirë në ngjarje kishin precedentë të mëparshëm kriminal.
Zona ku ndodhi vrasja është e mbuluar me kamera sigurie dhe policia është optimiste për zbardhjen e shpejtë të rrethanave si dhe për arrestimin e autorit të shpallur në kërkim.
Policia po heton për të çuar para drejtësisë autorin e mbetur në arrati.



